Presidenti i Steaua Bucharestit, Gigi Becali ka thënë se do të largohej nga futbolli në rast se do të detyrohej të formonte skuadrën e femrave te klubi rumun.
Sipas Becalit, kjo nismë është kundër natyrës njerëzore, ndërsa shtoi se femrat janë krijuar për të joshur gjininë tjetër.
Këto komente, Becali i bëri në një emision sportiv në Rumani, ku u pyet se çfarë veprimi do të ndërmerrte nëse UEFA do ta detyronte të formojë skuadrën e femrave.
“Do të largohesha nga futbolli. Nuk mund të bësh gjëra që janë kundër vullnetit të Zotit. Si mund të luajnë futboll femrat? Nuk janë të krijuara për të luajtur këtë sport, trupi i femrës nuk është i ndërtuar për këtë gjë, është e rrezikshme dhe kundër natyrës njerëzore. Femra është krijuar të jetë e bukur, të josh gjininë e kundërt. Ne po i dëmtojmë ato duke i lejuar të luajnë futboll. Ata duhet të luajnë volejboll, hendboll apo basketboll por jo sporte të rrezikshme”, tha presidenti i Steauas.
Së fundmi shumë klube të mëdha europiane kanë filluar të krijojnë skuadrat e femrave, ndërsa të fundit që i janë bashkuar kësaj nisme, kanë qenë klubet italiane, Inter dhe Milan.







