Presidenti i Sllovenisë sot viziton Kosovën, takohet me Ormanin e Kurtin

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, sot do të qëndrojë në Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanin, Kryeministrin Albin Kurti dhe komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajari.

Në orën 10:00, Presidentja Osmani do ta presë në kabinetin e saj Presidentin Pahor. Kështu është bërë e ditur në një njoftim të lëshuar të dielën nga Presidenca.

“Në orën 10:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, pret në takim Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor”, thuhet në njoftim.

Pas takimit, Osmani dhe Pahor do të dalin në konferencë për media.

Pas takimit me Presidenten, Pahor do të takohet me Kryeministrin e vendit, Albin Kurtin. Takimi Kurti-Pahor do të fillojë në orën 11:30.

Presidenti slloven do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajari.

Ndryshe, Pahor të dielën ka qëndruar në Beograd, nga ku ka deklaruar se është i shqetësuar për dialogun Kosovë-Serbi.

Këtë deklaratë Pahor e bëri pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pahor theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian do të ishte vendimtar për paqen dhe sigurinë, si dhe për mirëqenien e njerëzve në këtë rajon.

“Faleminderit presidentit Vuçiq për këtë bisedë dhe për përmendjen e ushtarëve sllovenë në Kosovë, dhe unë do t’i vizitoj nesër”, tha Pahor.

Ai shtoi se gjatë vizitës së tij në Kosovë do të kërkojë të zbatohet gjithçka që është rënë dakord në marrëveshjen e Brukselit.

Pahor tha se është i shqetësuar edhe sepse dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë dhe shtoi se ai duhet të vazhdojë.

“Sllovenia është një përkrahëse e madhe e atij dialogu dhe ende e mbështet atë”, tha ai, duke theksuar se zvarritja e këtij procesi nuk i kontribuon askujt.

“Bisedimet duhet të vazhdojnë për të rregulluar marrëdhëniet në mënyrë që të mos rrezikohet paqja, siguria dhe bashkëpunimi në rajon”, tha Pahor.