Presidenti i Qipros i thotë Vuçiqit se s’do ta ndryshojë qëndrimin për Kosovën

Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, ka vizituar sot Serbinë ku është pritur nga presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.

Duke falënderuar që Serbia e mbështet integritetin territorial të vendit të tij, Christodoulides tha se Qipro – një ndër pesë shtetet anëtare të BE-së mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, do të vazhdojë qëndrimin e njëjtë ndaj Kosovës.

“Ne [me Vuçiq] biseduam për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dua të ritheksoj publikisht mbështetjen tonë për përpjekjet e qeverisë serbe, qëndrimi i Qipros është i qartë dhe nuk mund të ndryshohet në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë dhe Qiproja është përkrahësja më e fortë e Serbisë për anëtarësim në BE. Së fundi janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në lidhje me reformat”, tha presidenti i Qipros në Beograd, siç raporton RTS.

Ai tha se Qipro ka edhe marrëdhënie të mira me Serbinë edhe në sektorë tjerë.

“Marrëdhëniet tona bazohen në marrëdhëniet tradicionale. Ne bashkëpunojmë mirë në të gjithë sektorët. Ka hapësirë ​​për përmirësimin e bashkëpunimit. Nesër do të vizitoj një kompani qipriotë. Ne mund të bëjmë më shumë në fushën e turizmit. Por mund të bashkëpunojmë edhe në sektorë të tjerë. Pres me padurim që në kuadër të vizitës të nënshkruhen kontrata. Për zgjidhjen e çështjes së Qipros, i jam mirënjohës Serbisë për qëndrimin e saj”, tha Christodoulides.

Ndërkaq, Vuçiq vazhdoi propagandën e tij, duke thënë se serbët në Kosovë “janë në pozitë të vështirë”.

Dhe derisa me lobimin kundër Kosovës shkel Marrëveshjen e Ohrit, Vuçiq pretendoi se “Beogradi dëshiron që marrëdhënia me Prishtinën të zgjidhet me kompromis, me dialog”.

“Veçanërisht i shpreha mirënjohjen time Qipros për mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë, e cila gjithashtu, duke respektuar kartën e OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare publike, i jep mbështetje të plotë sovranitetit të Qipros si në tokë ashtu edhe në det”, tha Vuçiq.

Po ashtu, Vuçiq, duke aluduar te fuqitë perëndimore, tha se Serbia s’është e detyruar të përballet me presion.

“Për shkak se Serbia respekton të drejtën ndërkombëtare nuk është as fajtore dhe as e detyruar të ekspozohet ndaj politikës së pushtetit të atyre që janë shumë më të fortë se ajo dhe shkatërrojnë të drejtën ndërkombëtare”.