Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka anuluar samitin e shefave të shteteve të Ballkanit Perëndimor me Kroacinë dhe Slloveninë që është dashur të zhvillohej në muajin maj në ishullin kroat Brijoni.

Milanoviq si arsyetim për anulimin e samitin e ka përmendur mosekzistimin e kushteve që në atë takim të ftohet edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për shkak të deklaratave të tij kohëve të fundit.

“Prononcimet politike dhe veprimet e ditëve dhe javëve fundit të presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq janë në kundërshtim të plotë me qëllimet e Procesit Brdo-Brijoni, ato i dëmtojnë raportet ndërshtetërore dhe rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Presidenti Milanoviq është i mendimit se në rrethanat e tilla nuk ekzistojnë kushtet dhe nuk është e mundshme ardhja e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Kroaci”, citon “Jutarnji list” njoftimin nga zyra e Presidentit të Republikës së Kroacisë.

Samiti i fundit Brdo-Brijon ishte zhvilluar në vjeshtë të vitit të kaluar në Tiranë, ku kishin marrë pjesë të gjithë presidentët e vendeve të rajonit, përfshirë edhe presidentin e Serbisë Vuçiq.