Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, është nderuar sot me çmimin “Ambasador për Paqe”, nga Federata e Paqes Universale në Shqipëri.
Në ceremoninë e mbajtur në Tiranë, para personaliteteve të shumta, presidentit Krasniqit iu nda çmimi nga ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Ceremonia u organizua në kuadër të 16 vjetorit të pavaresisë së Kosovës me temën “Kosova e pavarur, model suksesi për paqen”. Krahas të parit të KOK-ut u nderuan edhe figura tjera nga Kosova dhe Shqipëria, të përzgjedhur nga Këshilli i Paqes në Tiranë, në krye me gazetarin Dëfrim Methasani.
Pjesëmarrës ishin edhe personalitete të larta nga politika si: Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, historian, studiues, Flora Brovina, etj.
Në fjalën e tij, presidenti Krasniqi falënderoi organizatorin për çmimin, duke theksuar se sukseset e sportit dhe sportistëve të Kosovës janë të të gjithë shqiptarëve, duke potencuar synimet për medalje tjera olimpike në LO Paris 2024.
Me çmim të njëjtë u shpërblyen edhe kryetari i Shoqatës së Gazetarëve Sportivë të Kosovës, Edmond Thaçi, mjeshtri i karatesë, Enver Cakiqi, këngëtari i mirënjohur, Ilir Shaqiri, si dhe personalitete tjera nga fusha të ndryshme si: Bieta Sulo, Hekuran Braho, Nadire Karadaku, Suzana Drenica, Shkëlzen Rexha, Albana Shehu Qiriako dhe Dr. Endri Abazi.







