Presidenti i Kinës, Xi Jinping, në prag të vizitës në Serbi të martën, akuzoi NATO-n për bombardimin e ambasadës kineze në Beograd gjatë fushatës ajrore të aleancës kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në ish-Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ) në vitin 1999.
“NATO bombardoi në mënyrë flagrante ambasadën kineze në Jugosllavi njëzet e pesë vjet më parë, , duke vrarë tre gazetarë kinezë. Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Kina vlerëson paqen, por kurrë nuk do të lejojë që kjo tragjedi historike të përsëritet”, deklaroi presidenti kinez.
Sivjet u bënë një çerek shekulli nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi, ndërsa vendimi ishte përligjur nga mbështetja e gjerë transatlantike dhe kërcënimi i një katastrofe humanitare – rasti i parë që NATO ndërhyn në një territor sovran pa pasur mandat të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ndryshe, ndërhyrja humanitare dhe ushtarake e NATO-s në vitin 1999 shkaktoi një debat të madh ndërkombëtar dhe një ndarje ndërmjet fuqive të mëdha perëndimore dhe Rusisë e Kinës. Por, pavarësisht rezistencës nga Serbia, Rusia, Kina e India, shqiptarët e Kosovës fituan njohjen nga të gjitha fuqitë perëndimore dhe nga një dyzinë vendesh të tjera.







