Presidenti i Brazilit dëshiron ta emërojë djalin e vet ambasador në Shtetet e Bashkuara

Diplomatët brazilianë kanë reaguar ashpër ndaj raportimeve se presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, dëshiron ta caktojë djalin e vet, Eduardon, ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht mungesës së përvojës diplomatike.

Presidenti i të djathtës ekstreme tha të enjten para gazetarëve se është duke e shqyrtuar mundësinë që ta emërojë djalin e vet për ambasador vetëm një ditë pasi ai i mbushi 35 vjet, e cila është mosha minimale për t’u bërë ambasador i Brazilit në një shtet tjetër. Sidoqoftë, vendimi i mundshëm i presidentit duhet të miratohet edhe nga kuvendi.

“Ai është shok i fëmijëve të Trumpit, flet anglisht dhe spanjisht dhe ka përvojë të madhe në botë”, tha Bolsonaro për djalin e vet. Të premten, ai deklaroi se caktimi i të birit nuk do të paraqiste rast të nepotizmit. “Gjykata Supreme vendos për këtë. Nuk është nepotizëm, nuk do ta bëja kurrë një gjë të tillë”, tha Bolsonaro.

Megjithatë, me mendimin e presidentit nuk po pajtohen shumë analistë. “Është e konfirmuar, ky emërim do ta bëjë Brazilin republikë banane”, tha gazetari Bernardo Mello Franco, i cili punon për gazetën “O Globo”.

Djali i presidentit, Eduardo, ishte deputeti më i votuar i kuvendit brazilian dhe shërben si kryetar i komisionit parlamentar për marrëdhënie të jashtme. Ai ka deklaruar se do ta pranonte këtë ofertë, nëse ajo i dërgohet zyrtarisht, shkruan “The Guardian”.