Presidenti gjerman i kërkon falje Polonisë për krimet e nazizmit

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, i ka kërkuar falje Polonisë për, siç ka thënë ai, tiraninë naziste, 80 vjet pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore.

Steinmeier dhe disa liderë të tjerë botërorë po qëndrojnë në Poloni për ta përkujtuar fillimin e konfliktit më të përgjakshëm në historinë e njerëzimit.

Në orët e hershme të së dielës, një ceremoni u mbajt në qytetin polak, Wielun, ku kishin rënë bombat e para të gjermanëve.

Presidenti gjerman e dënoi dëshirën e pushtetit të asaj kohe për të shkatërruar gjithçka, gjë që e solli konfliktin mes shumë kombeve.

“Përkulem para viktimave polake të tiranisë gjermane dhe kërkoj falje”, tha Steinmeier, duke folur në gjermanisht dhe polonisht.

Steinmeier foli pranë homologut të tij polak, Andrzej Duda, i cili e dënoi sulmin e nazistëve gjermanë ndaj Polonisë dhe e cilësoi atë si akt barbar.

Ceremonia për përkujtimin e viktimave polake të Luftës së Dytë Botërore filloi në orën 4 të mëngjesit dhe figurat e pranishme në të e mbajtën një minutë heshtje në nderim të njerëzve të vrarë.

Polonia ishte një ndër shtetet që pësoi më së shumti gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth 6 milionë banorë të këtij shteti u vranë në këtë konflikt të tmerrshëm, shkruan “BBC”.

loading…