Vazhdon edhe më tutje të jetë njëra nga temat më të diskutuara.
Zgjedhja e presidentit ka mbetur pika e fundit në të cilën po angazhohet maksimalisht qeveria e Republikës së Kosovës.
Megjithatë, kjo e fundit duket se nuk i ka numrat. Katër deputetë të LDK-së me gjasë të madhe nuk do të qëndrojnë në sallë, ndërsa PDK e AAK tashmë e kanë konfirmuar një gjë të tillë.
Përderisa nga kampi pozitar tashmë kanë vendosur që seanca të mbahet javën e ardhshme, njohësi i çështjeve kushtetuese, Ehat Miftaraj konfirmon se data 5 Prill, pra (e hënë) presidenti duhet të zgjedhet, ndryshe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda 45 ditëve.
Ndër të tjera, Miftaraj spjegoi edhe kronologjinë sesi duhet e pritet të rrjedhin gjërat.
“Në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe praktikës kushtetuesë, Presidenti, në mandatin e ri, zgjidhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit. Në këtë drejtim, nëse merret për analogji procesi i emërimit të Presidentit në rrethana të zakonshme do të duhej të kemi Presidentin e ri deri me 5 prill 2021.Për President të Republikës së Kosovës mund të kandidohet secili shtetas i Republikës, nëse i siguron nënshkrimet e më së paku tridhjetë (30) deputetëve të Kuvendit. Deputeti mund të nënshkruhet vetëm për një kandidat për President. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjë kandidat nuk i merr dy të tretat (2/3) e votave në dy votimet e para, zhvillohet votimi i tretë mes dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të madh të votave në votimin e dytë.
Kandidati që e merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve në votimin e tretë, zgjedhet President i Republikës së Kosovës. 6. Nëse edhe në votimin e tretë asnjëri nga kandidatët nuk zgjidhet President i Republikës, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja për Kuvend mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditëve nga dita e shpërndarjes së Kuvendit”, tha ndër të tjera ai.







