Presidenti çek vazhdon të jetë kontradiktor, thotë se sulmi i NATO-s ishte gabim

Presidenti i Çekisë, Millosh Zeman, i cili njihet për dashurinë që ka për serbët dhe Serbinë, ka thënë se nuk duhet kërkuar alibi që bombardimi i NATO-s ndaj ish Jugosllavisë për shkak të luftës në Kosovës, ka qenë i drejt.

“Mendoj se ajo luftë ishte gabim i madh dhe nuk do të duhej të kërkonim alibi që atë gabim ta arsyetojmë”, ka thënë Zeman për mediat çeke.

Ai këtë deklaratë e ka dhënë duke komentuar deklaratën e sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg në Beograd, se NATO e ka bombarduar Jugosllavinë në mënyrë që t’i mbrojë civilë dhe ta ndalojë Sllobodan Millosheviqin, transmeton Ballkani.info.

Millosh Zeman në vitin 1999 kur ishte kryeministër i qeverisë minore socialdemokrate, megjithë protestat në partinë e tij, e kishte miratuar bombardimin e Jugosllavisë si e keqe më e vogël për të parandaluar të keqen e madhe dhe e kishte dhënë pajtimin që aeroplanët e NATO-s të kalojnë përmes Çekisë.

“Siç e dini, qeveria çeke ishte e fundit, fjalë për fjalë, e fundit qeveri që ia hapi hapësirën ajrore NATO-s. Aso kohe kërkonim aleat që të na ndihmonin që problemi të zgjidhej në mënyrë paqësore”, ka thënë Zeman në vitin 2014.

Pra, Zeman është njëri që i kundërshton fjalët e veta varësisht situatës. /Ballkan.info/