Presidenti çek e përkrah Orbanin: Transgjinorët janë të gërditshëm

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman, tha gjatë një interviste për degën e televizionit CNN në këtë shtet se personat transgjinorë janë të gërditshëm. Ai këtë koment e bëri gjatë diskutimit rreth ligjit anti-LGBT të miratuar në Hungari.

Sipas ligjit të ri hungarez, ndalohet të shfaqen para fëmijëve materialet që cilësohen si promovim i homoseksualizmit dhe ndryshimit të gjinisë. Ky ligj është kritikuar ashpër nga shtetet tjera të Bashkimit Evropian, shkruan CNN.

Presidenti çek tha se ndërhyrja në çështjet e brendshme të cilitdo shtet të Bashkimit Evropian është gabim i madh politik dhe e mbrojti Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban. “Nuk shoh ndonjë arsye për të mos u pajtuar me të”, tha Zeman.

Më vonë, ai shtoi: “Unë i kuptoj homoseksualët (meshkuj), lesbiket dhe kështu me radhë. Por a e dini cilët nuk i kuptoj aspak? Këta njerëzit transgjinorë. Për mua janë të gërditshëm në mënyrë thelbësore”.

Komentet e presidentit çek erdhën në kohën kur në disa qytete të botës po mbahen parada të komunitetit LGBT. Sipas një grupi për mbrojtjen e të drejtave, ILGA-Europe, aktivistët lokalë kanë frikë se Çekia po shkon rrugës së Hungarisë e Polonisë sa i përket komunitetit LGBT.

Miratimi i ligjit për barazi në martesë vazhdimisht ka ngecur. Festivali i komunitetit LGBT në Pragë është planifikuar për javën e parë të gushtit.