Presidenti Biden pranon thirrjen për drejtësi të kongresmenëve amerikanë për Vasfije Krasniqin e vëllezërit Bytyçi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, këtë të enjte ka pranuar një letër nga 12 kongresmenë me anë të së cilës i bëhet thirrje që çështja e vëllezërve Bytyqi dhe rasti i tash deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi të futet në agjendën e tij.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Vasfije Krasniqi me anë të një postimi në llogarinë e saj në Twitter ku tha se ndjehet mirë që 12 anëtarë të Kongresit Amerikan u bashkuan në letrën drejtuar Biden për përmbushjen e zotimit të tij në mënyrë që të sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës në Kosovë.

Në letrën dërguar Biden thuhet se deri më sot, liderët politikë serbë kanë dështuar vazhdimisht në përmbushjen e premtimeve që u kanë bërë zyrtarëve amerikanë dhe nuk ka pasur asnjë hetim serioz në lidhje me këtë çështje.

“Në mars 2020, Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Vrasjet Jashtëgjyqësore, Agnes Callamard, konfirmoi se Serbia është e detyruar në bazë të ligjit ndërkombëtar humanitar të hetojë zyrtarët aktualë ose ish-zyrtarë për vrasjen e Vëllezërve Bytyqi, duke përfshirë edhe ata brenda zinxhirit mbikëqyrës të komandës”, thuhet në letrën e kongresistëve, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, në këtë letër drejtuar Biden kongresistët i kanë dhënë detaje rreth vrasjes së vëllezërve Bytyqi dhe i kërkuan Biden që të kërkojë përgjigje nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të kërkojë hetim të plotë në lidhje me këtë rast, duke përfshirë edhe ata brenda zinxhirit komandues.

“Ne ju bëjmë thirrje që të përmbushni zotimin tuaj për të kërkuar përgjigje nga presidenti Vuciq dhe të kërkoni një hetim të plotë të këtij rasti, duke përfshirë edhe ata brenda zinxhirit komandues. Më në fund, pas më shumë se dy dekadash, familja e tyre duhet të dënohet me mbylljen që meritojnë”, thuhet në letrën e kongresistëve, transmeton Klankosova.tv.