Presidenca malazeze thotë se puna e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi ka marrë fund

Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka hedhur poshtë mundësinë që çështja e demarkacionit të kufirit me Kosovën, të hapet sërish.

“Demarkacioni ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës ka përfunduar në vitin 2015 dhe se dy shtetet duhet të shkojnë përpara për një jetë më të mirë për qytetarët e tyre”, është përgjigjur kabineti i Gjukanoviqit për Vijestin.

“Si fillim, Mali i Zi është shtet anëtar i NATO-s. Demarkacioni ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës u finalizua në vitin 2015. Marrëveshja u konfirmua nga të dyja qeveritë në vitin 2015 dhe hyri në fuqi në vitin 2018. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai malazez Filip Vujanoviq nënshkruan një deklaratë e përbashkët në shkurt 2018.

“Ata i bënë thirrje Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë marrëveshjen. Parlamenti i Kosovës e ratifikoi një muaj më vonë. Si dy shtete, ne duhet të ecim përpara për një jetë më të mirë për qytetarët tanë”, thanë në kabinet për gazetën.

Reagimi vjen pasi kryeministri Albin Kurti gjatë një vizite në shkollën “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, tha gjatë javës se pritet trajtimi i kësaj çështjeje me qeverinë e re malazeze, pasi ajo e mëparshmja kishte qenë pro ruse dhe pro Beogradit.

“Shpresojmë që së shpejti Mali Zi do të ketë Qeveri të re me të cilën do të mund të bisedojmë, ta trajtojmë edhe këtë çështje për dallim nga qeveria paraprake, e cila kishte përbrenda elemente pro ruse përveç se pro Beogradit dhe natyrisht që nuk kishte kushte për një trajtim të tillë”, kishte thënë Kurti.

Ndërkaq, kryeministri në largim, Zdravko Krivokapiq, e quajti provokim të papranueshëm deklaratën e Kurtit. MAdje e kritikoi edhe presidentin, Gjukanoviq për heshtje.

“Unë e konsideroj provokim të papranueshëm deklaratën e zotit Kurti që shpall aspirata të rrezikshme për cenim të integritetit territorial të Malit të Zi. Është interesant se nuk ka asnjë reagim nga presidenti i Malit të Zi dhe kryeministri antikushtetues Dritan Abazoviq”, tha Krivokapiq.

Ujdia që ishte nënshkruar në Vjenë më 26 gusht 2015, ka hyrë në fuqi më 4 qershor 2019.