Presidenca kërkon rezolutë në Kuvend që ia ndalon Hotit negociatat për Asociacionin

Presidenca i ka kërkuar në mënyrë urgjente Kuvendit të Kosovës që të votojë një rezolutë që ia ndalon kryeministrit Avdullah Hoti të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror.

“Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit. Po ashtu, urgjentisht duhet ta votojë edhe një rezolutë, me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”, shkruan në deklaratën e shtypit, të lëshuar nga Zyra e Presidentit, Hashim Thaçi.

Ajo i ka quajtur “gabim të madh dhe të rrezikshëm” hapjen e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit.

“Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”, është thënë nga Presidenca.

Në të po ashtu shkruhet se diskutimi për Asociacionin paraqet fillimin e instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës.

“Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tone”, sipas Presidencës.