Presidenca franceze jep detaje të takimit Macron-Hoti, flitet edhe për video-samitin e Parisit

Presidenca franceze ka njoftuar sot lidhur me takimin e së martës së të parit të Francës, Emmanuel Macron me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hotin.

Siç bëjet e ditur në njoftimin e Presidencës së Francës, në këtë takim midis presidentit Macron dhe kryeministrit Hoti, në Pallatin Elize, është diskutuar për rinisjen e dialogut Kosovë-Serbi dhe zgjidhjen e problemit midis dy vendeve.

“Presidenti i Republikës priti të martën 7 korrik në Pallatin Elysee Kryeministrin e Kosovës, Z. Avdullah Hoti, për të diskutuar rigjallërimin e dialogut për normalizimin midis Serbisë dhe Kosovës, që është një element thelbësor i stabilitetit dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivat përkatëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian të të dy vendeve”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftimin e kësaj zyre është përmendur edhe mbajtjen e videosamitit, të premten më 10 korrik, të cilin e organizon ai dhe kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Me iniciativën e Presidentit të Republikës dhe Kancelares gjermane, do të mbahet një samit në 10 korrik me videokonferencë për të rihapur dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, i ndërprerë 18 muaj më parë, dhe të lejojë Bashkimin Evropian të lehtësojë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre”.

“Ky samit do të pasohet nga ai tashmë i zhvilluar në Berlin më 29 Prill 2019. Do të jetë rezultat i hapave që Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë së bashku me Serbinë dhe Kosovën, me qëllim konsolidimin e stabilitetit në Ballkan dhe forcojnë lidhjet e tyre me Bashkimin Evropian”, përfundon njoftimi