Sevdail Hyseni

Preshevë: E drejta shqiptare në “ditën ndërkombëtare”!

Në një vlerësim të nivelit të kumtesës, Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Bujanoc, në “Ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut – 10 dhjetor”, ka bërë të ditur se gjendja e të drejtave të shqiptarëve, nuk është përmirësuar, por si e tillë, gjithnjë po ashpërsohet dhe po merr përmasa të një shqetësimi serioz.

Qeveria e Serbisë, shteti ku jetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe ata që shtrihen në zonat më të thella të kësaj republike shumetnike, vazhdojnë të diskriminohen sistematikisht, qoftë në aspektin politik, mosintegrimi adekuat në organet shtetërore, mungesa e vullnetit politik për ta zgjidhur çështjen e mosnjohjes së diplomave të Kosovës, në fushën e sigurisë, nuk nuk janë mënjanuar praktikat dhe presionet e thirrjeve – edhe joligjore – në biseda informative nga ana e organeve policore, shlyerja nga evidenca e vendbanimeve të qytetarëve shqiptarë të këtyre komunave, vazhdimi i gjendjes militarizuese në rajon me njësi të jashtëzakonshme të forcave speciale të policisë dhe me pjesëtarë të ushtrisë; sidomos pjesa e Malësisë së Bujanocit, Karadakut të Preshevës dhe e brezit kufitar në Medvegjë e presione të tjera të këtyre natyrave, të cilat po e zbrazin në heshtje këtë rajon, duke lëkundur seriozisht bërthamën e saj etnike.

Si përfundim për këtë Kumtesë KDNJ, nuk ka lënë pa kritikuar Beogradin, i cili ndaj shqiptarëve vazhdon diskriminimin, “përkundër faktit se Serbia ka hapur shumë kapituj për bisedime me BE-në, brengosëse paraqitet neglizhenca gjithnjë e në rritje e mekanizmave ndërkombëtare kundrejt këtij diskriminimi sistematik shtetëror. Dhe krejt në fund të kumtesës KDNJ, nënvizon se “Rajoni po hyn në një fazë tejet të ndjeshme politike edhe si rezultat i marrëveshjes së paralajmëruar mes Prishtinës dhe Beogradit, andaj mbetet jetik kontributi më dinamik i bashkësisë ndërkombëtare në këto komuna”.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginë të Preshevës, dikur “Ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut – 10 dhjetor”, e shënonte, paksa më ndryshe, duke organizuar tryeza, ekspozita, debate, tribuna, anketa etj, duke mos përjashtuar aksionet rrugore me protesta e revolta të tjera të qytetarëve shqiptarë në këtë Luginë, së cilës asnjëherë nuk iu hoqën gazepet e taksiratet.

Autor: Sevdail Hyseni