Miss Gjyshja

Premtimi për organizimin e Miss Gjyshja në Ferizaj, personazhi i videos virale: Për Miss Buzëqeshja mos më ndrroni

Valon Ramadani, kandidati Lëvizjes Vetëvendosje për Komunën e Ferizajt bëri një deklaratë të çuditshme, derisa dha një premtim se do të organizojë një festival ku do të përzgjedhet “Miss Gjyshja”.

Këtë deklaratë ai e bëri në Kanal 10, ku tha se ky lloj festivali do të mbahet një herë në vit dhe do jetë një organizim mjaft profesional, përcjellë Reporteri.net.

“Një pikë që e kem në programin tonë që nuk i ka shku në mend askujt në asnjë palë zgjedhje, na e kemi bë premtim. Kemi me e mbajte një festival, një herë në vit, ka me pasë një organizim në mënyrë profesionale dhe kemi me e zgjedhë super-gjyshën e vitit”, tha Ramadani, ku shtoi se gjyshet janë lënë anash e askush nuk i përmend nëpër fushata.

Tani, në rrjete sociale nuk po mungojnë ‘meme’ e komente tallëse nga më të ndryshmet, bazuar në deklaratën e Valon Ramadanit.

Është Kristian Gashi, ai i cili në llogarinë e tij në Facebook, ka shkëputur një fotografi nga “intervista” e famshme e tij e vitit 2009, derisa ka shkruar:

“Për Miss Buzëqeshja Ferizaj, mos më ndrroni”.

Kristian Gashi u bë i njohur me “deklaratën” për WC-të publike në Ferizaj, e që së fundmi është tallur me deklaratën e kandidatit të VV-së për kryetar të kësaj komune.

Një postim ironizues ka ardhur edhe nga analisti Imer Mushkolaj, i cili ka shkruar se Ferizaj njihet për festivale kreative.