Homazhe

Prekaz, me homazhe shënohet 27 vjetori i sulmit të parë kundër Jasharajve

Me rastin e 27 vjetorit të sulmit të parë ndaj familjes Jashari nga forcat serbe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, kryetar të komunave dhe qytetarë kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari në Prekaz.

Në vendin tonë sot po shënohet me disa aktivitete edhe Dita e Veteranëve.

Me këtë rast këshilltari i kryeministrit, Jahja Lluka ka shprehur admirim ndaj sakrificës së familjes Jashari me porosinë se i gjithë populli i Kosovës është pas tyre.

Për të bërë homazhe në Prekaz kishte ardhur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Gashi i cili tha se në të ardhmen veteranët do kenë më shumë përkrahje nga institucionet e vendit.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se 27 vite më parë u ndezën shkëndijat e para për lirinë që e gëzojmë sot.

Ai e ka demantuar lajmin se nuk do ketë aktivitete për të shënuar Ditën e Veteranëve.

Homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” kanë bërë homazhe edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i këtij institucioni të sigurisë në Kosovë, Rashit Qalaj u shpreh Policia e Kosovës do e luftojë krimin dhe do ofrojnë siguri duke kujtuar ata që ranë për lirinë e Kosovës.

Kurse, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari derisa e kujton ditën e sulmit ndaj familjes së tij thotë se sot janë shpirtërisht më mirë sepse Kosova ka pavarësinë dhe ushtrinë e saj.

Për të shënuar 27 vjetorin e sulmit të forcave të armikut ndaj familjes Jashari homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”, kanë bërë edhe i pari i Obiliqit, Xhafer Gashi dhe kryetari i Drenasit, Ramiz Ladrovci, të cilët e çmuan sakrificën e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve që kanë rënë për lirin e Kosovës.

Në pasditen e sotme Dita e Veteranëve do shënohet me një ceremoni ku pjesëmarrjen e tij e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.