Prej vitesh në koma, Noizy flet për fansin e Stresit që u plagos pas përleshjes mes grupeve

Në Prill të vitit 2010, një ngjarje e rëndë ndodhi pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, ku u masakrua me 11 thika në trup, Denis Dollapi, mbështetës i Stresit. Përplasja me grupin kundërshtar, rezultoi fatkeqe për 19-vjeçarin asokohe.

Shumë vite pas, dy reperët bën paqe mes vete dhe u shfaqën duke performuar krah njëri-tjetrit në koncertin e organizuar nga Noizy, “Alpha Show”.

Por, në sherret që ata kishin mes vete vite më parë, përfshiheshin edhe fansat e tyre.

Së fundmi, në një intervistë televizive për Euronews, bazuar në ditët e fundit ku u komentua shumë ky rast, Noizy është pyetur lidhur me këtë çështje.

Reperi shprehu keqardhje për ngjarjen e rëndë, duke thënë se anëtarët kryesorë të grupeve nuk kishin asnjë lidhje dhe se gjithçka kishte ndodhur mes fansave.

“Përveç neve që kishim problemet tona, dhe ndjekësit tanë kishin probleme në klasa, në rrugë. Incidenti ka qenë se dy fansave të grupeve tona dhe fatkeqësisht një nga djemtë e palës tjetër ndodhet në koma. Unë ashtu nuk dua të shoh as armikun më të madh. Është për të ardhur keq.”, tha Noizy.