Pranon fajësinë i akuzuari për pjesëmarrje në ISIS

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të mërkurën i akuzuari S.N ka pranuar fajësinë për organizim dhe pjesëmarrje në grupin terrorist –ISIS.

Pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar, i akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit janë pajtuar edhe prokurori special A.Sh dhe mbrojtësi i tij, avokati Gezim Berisha.

E si i tillë u aprovua nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala.

Lidhur me rrethanat lehtësuese dhe rënduese, prokurori Shefkiu deklaroi se vet pranimi i fajësisë është një rrethanë lehtësuese duke i propozuar gjykatës që me rastin e caktimit dhe llojit të dënimit të merret parasysh kjo rrethanë.

Ndërsa, si rrethana rënduese prokurori Shefiku ka përmendur peshën e veprës penale, shkalla e përgjegjësi penale e të akuzuarit, rrezikshmëria shoqërore, këmbëngulësia e të akuzuarit për t’iu bashkangjitur organizatës ISIS.

“Duke shpresuar se me një dënim adekuat sipas ligjit do të arrihet efekti i dënimit si në raport me të akuzuarin po ashtu edhe me kryerësit potencial të këtyre veprave penale, dua të shtoj edhe këtë se si rrethanë rënduese është evidente edhe shqetësimi i qytetarëve”, tha tutje prokurori.

Në anën tjetër, avokati Berisha kërkoi nga gjykata që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim sa më i butë duke marr parasysh edhe rrethanat lehtësuese si pendimin e tij të thellë dhe se i njëjti është mbajtës i familjes.

I njëjti kërkoi nga gjykata që të akuzuarit t’i ndërpritet edhe masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me një masë me të butë.

E fjalën e mbrojtësit të tij, e ka mbështetura edhe i akuzuari Nerjovaj.

Lidhur me propozimin e avokatit për ndërprerjen e masës së paraburgimit, gjykatësi Shala ka thënë se do të vendoset së bashku me shpalljen e aktgjykimit.

Shpallja e aktgjykimit për këtë çështje penalo-juridike do të bëhet me 21 shkurt 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 18 nëntor 2021, S.N akuzohet se fillimisht më 3 nëntor 2014, me paramendim dhe me dashje së bashku me bashkëshorten e tij V.I kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës në atë mënyrë që përmes vend – kalimit kufitar Hani i Elezit kanë udhëtuar për në Shkup – Republika e Maqedonisë dhe se të nesërmen me autobus kanë udhëtuar për në Suedi e që edhe pas dy muaj qëndrimi, përmes lidhjeve të caktuara me qëllim që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS në Siri.

Tutje, në aktakuzë thuhet se nga Aeroporti i Stokholmit me aeroplan kanë udhëtuar për në Stamboll-Gazientep ku janë pritur nga një shtetas turk dhe janë transportuar me automjet kombi në afërsi të kufirit me Sirinë ku kanë depërtuar në brendi te Sirisë dhe i njëjti është regjistruar në organizatën terroriste ISIS me nofkën “Ebu Sadri”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Nerjovaj më pas është pajisur me dokument të përkohshëm identifikimi dhe me këtë rast edhe ka vijuar ushtrimet fizike, taktike dhe luftarake i pajisur me armë të zjarrtë AK47 ka marrë pjesë aktive në luftërat e ISIS-it dhe më pastaj është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më datë 17 korrik 2021, me të cilin rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 par. 2 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej pesë deri në 10 vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.