“Prano se s’ki ka ja man”, prokurori e gjykatësi ndikojnë në të akuzuarin ta pranojë fajësinë, dënohet me burgim me kusht

Labinot Nura, i akuzuar për kultivim të bimës kanabis, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 10 tetor, fillimisht nuk e ka pranuar fajësinë për këtë vepër, mirëpo, pas disa minutash, ai ka ndryshuar mendimin dhe ka pranuar fajësinë.

Ky ndryshim i deklarimit të tij lidhur me fajësinë ka ardhur pas presionit të bërë këtë nga ana e prokurorit Ilaz Beqiri dhe gjykatësit Isuf Makolli. Në këtë shqyrtim, i pandehuri Nura, nuk ishte i përfaqësuar me avokat mbrojtës.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Beqiri, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihej në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Jo, nuk e pranoi, nuk janë të miat. Unë tu punu me limenka, me kolicë m’kanë pa gjinja çdo ditë tu punu. Ajo banesë ka qenë e pabanueshme, e pata marr ni shilte, ni syngjer e pata ndreq, bike shi po qitsha jambulija. Ka pas edhe persona tjerë, rrishin edhe do fmi. Unë nonstop rrisha flejsha, senet që i tubojsha prej mbeturinave i lajsha”, ka thënë i akuzuari.

Më pas, kur gjykatësi Makolli ka filluar të bëjë udhëzimin e të pandehurit lidhur me kërkesën për hudhje të aktit akuzues dhe kundërshtimit të provave, ai tha se i akuzuari nuk di të bëjë kundërshtimet.

Ndërkaq, prokurori Beqiri deklaroi “I kfjellt o”, e i akuzuari tha se prokurori e gjykatësi e njohin prej para lufte.

Mirëpo, një gjë të tillë e kanë mohuar edhe prokurori edhe gjykatësi.

“Jo, s’ të njoh, ka kam met te njoftë unë”, ka thënë gjykatësi.

E më pas prokurori Beqiri i tha të akuzuarit “Prano se s’ki ka ja man”.

Gjykatësi Makolli, me këtë rast i tha të akuzuarit “E merr ni kusht”.

E më pas edhe prokurori edhe gjyqtari i thanë të akuzuarit se nëse konsideron se nuk ka faj, mos ta pranojë fajësinë.

Prokurori Beqiri i tha të akuzuarit se nëse bëhet kundërshtimi i aktakuzës, procedura do të zgjatet më shumë.

Prokurori Beqiri, më pas i tha të akuzuarit “Ndaq shkruje një kundërshtim, a din”, e i akuzuari e pohoi një gjë të tillë.

“Brenda 30 dite. Nëse don shkojmë drejt në gjykim, bohet ma shpejt ky veç formalitet o”, tha prokurori Beqiri.

E i akuzuari Nura tha “Qysh të vendos gjykata”.

“Mirë o me hek dorë ky”, ka deklaruar gjykatësi Makolli.

“Vijnë tre gjykatës, i ngojnë fjalët e tua e të miat, tani vendosin”, tha prokurori Beqiri.

E i akuzuari tha se më mirë pra është kështu dhe ai ka hequr dorë nga e drejta për të paraqitur kërkesën për hudhje të aktakuzës e kundërshtimin e provave.

Më pas, gjykatësi Makolli ka pyetur të akuzuarin se a e konsumon duhanin, e i akuzuari e pohoi një gjë të tillë

“E kta tjerët”, pyeti gjykatësi Makolli duke iu referuar narkotikëve.

“Kta tjerët pak”, tha i akuzuari.

“ E kujt u kon kjo”, ka pyetur gjykatësi Makolli, e i akuzuari tha se e disa djemve më të ri.

“Mos mu kon ky se kisha pru ktu hiq. I kisha pushu hetimet”, ka deklaruar prokurori Beqiri.

“Se kam mjell. Me thon po, çfarë kushti ma jep? S’po du me ardh apet, s’kam punë”, tha i akuzuari Nura.

“Qashtu bonu djalë i mirë. Që po thom unë pranoje mos gabo me pranu. Pe caktojmë edhe nihere duhet me ardh, edhe dy edhe tre here ”, i tha gjykatësi Makolli.

“Çfarë kushti po ma jepni sot me kry”, i tha i akuzuari gjykatësit Makolli.

E gjykatësi Makolli i tha se në pazar nuk janë dhe e pyeti se çfarë po vendos.

“Pe pranoj, zoti gjykatës”, tha i akuzuari.

Më pas prokurori Beqiri deklaroi se pajtohet me pranimin e fajësisë, duke vlerësuar se i akuzuari ka kuptuar benefitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe një pranim i tillë është në përputhje me provat në shkresa t lëndës.

“I propozoj gjykatës ta pranoj një pranim te tillë dhe me rastin e matjes dhe shqiptimit te sanksionit penal të merret si rrethanë lehtësuese fakti që e pranoj fajësinë dhe gjendja e rëndë ekonomike dhe fakti që ka kalu kohë e gjatë prejse është kry vepra penale deri tani”, ka thënë prokurori Beqiri.

E gjykatësi Makolli e ka aprovuar një pranimin e fajësisë, duke thënë se janë përmbushur kushtet e parapara me ligj për pranim të fajësisë.

Më pas, pas rreth 15 minutash, gjykatësi Makolli është paraqitur në sallë për të shpallur aktgjykimin.

“Dënohet 1 vjet burgim nëse brenda dy vjete nuk kryn vepër tjetër penale nuk ekzekutohet dënimi”, deklaroi gjykatësi Makolli.

“Shumë o dy vjet zotëri gjykatës. Bone 1 prej 1, pse me nejt 2 vjet”, ka thënë i akuzuari.

E më pas gjykatësi Makolli ka ndryshuar kohëzgjatjen e periudhës verifikuese.

“1 për 1 po të thom brenda një viti nëse nuk kryn vepër tjetër penale”, tha Makolli.

Ndërkaq, paraprakisht në fillim të kësaj seance, gjykatësi Makolli e ka pyetur prokurorin Beqiri se sa vjet është e dënueshme vepra penale, e prokurori ka thënë se deri në 10 vite.

“Avokat s’ka nevojë”, ka thënë gjykatësi Makolli.

“Jo bre, s’ka nevojë”, ka thënë prokurori Beqiri.

Vepra penale për të cilën ngarkohej i akuzuari dënohet me burgim prej një (1) deri në

dhjetë (10) vjet.

I njëjti është njoftuar me të drejtën e tij që mund të mbrohet vet apo të angazhojë avokat e se gjykata mund t’i caktojë avokatin kur mbrojtja është e detyrueshme, e i njëjti nuk ka mundësi financiare për të angazhuar mbrojtës.

Mirëpo, ai nuk është njoftuar se në bazë të nenit 58 të Kodit të Procedurës Penale, gjykata mund t’i caktojë avokat me shpenzime publike edhe kur mbrojtja nuk është e detyrueshme

Paragrafi i parë i këtij neni thotë se “Kur nuk ekzistojnë kushtet për mbrojtjen e detyruar, të pandehurit i caktohet mbrojtës me shpenzime publike me kërkesën e tij”.

E kjo nëse nuk ekzistojnë kushtet për mbrojtje të detyrueshme e procedura penale zhvillohet për vepër penale për të cilën është paraparë dënimi me burgim me tetë (8) ose më shumë vjet.

Gjithashtu, avokati mund t’i caktohet edhe kur këtë e kërkojnë interesat e drejtësisë pavarësisht nga dënimi parashikuar, të dyshuarit apo të pandehurit me kërkesën e tij i caktohet mbrojtësi, në qoftë se sipas gjendjes pasurore të tij nuk mund t`i përballojë shpenzimet e mbrojtjes së tij.

Ndërkaq, sipas nenit 248 të Kodit të Procedurës Penale, në pikën 1.2 të këtij neni thuhet se “Pranimi bëhet vullnetarisht nga i pandehuri pas këshillimeve të mjaftueshme me mbrojtësin, nëse i pandehuri ka mbrojtës”

Tutje, në pikën 1.3 thuhet “ Pranimi i fajit mbështetet në faktet e çështjes që përmban aktakuza, në materialet e prezantuara nga prokurori i shtetit për plotësimin e aktakuzës të pranuar nga i pandehuri dhe çdo provë tjetër, siç është dëshmia e dëshmitarëve e paraqitur nga prokurori i shtetit ose i pandehuri.

Ndërsa, i akuzuari Nura gjatë kësaj seance është pajisur vetëm me aktakuzë dhe nuk ka pasur në dispozicion shkresat e tjera të lëndës, që përfshijnë provat që organi i akuzës ka ndaj të akuzuarit.

Kjo përcaktohet edhe në paragrafin e dytë të nenit 246 që i referohet pranimit të fajësisë ku thuhet “Gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupi gjykues pastaj çmon nëse e drejta e të pandehurit në mbrojtës është respektuar dhe nëse prokurori i shtetit ka përmbushur detyrimet që kanë të bëjnë me zbulimin e provave nga neni 244 i këtij Kodi”.

Ndryshe, në mes të seancës gjykatësi Makolli i është drejtuar monitorueses së “Betimi për Drejtësi” duke i thënë “A pi qet krejt qito, mos na qit krejt qito”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 10 shtator 2019, me datë 6 shkurt 2014, rreth orës 19:50, në një shtëpi të pa banuar që gjendet në rrugën e “Zagrebit”, afër tjegullores në Prishtinë, ku përkohësisht banonte i pandehuri pa autorizim ka kultivuar bimë të kanabisit, në atë mënyrë që gjatë një bastisje nga ana e pjesëtarëve të Policisë të Kosovës të asaj banese, kanë gjetur dhe sekuestruar 5 bimë të kanabisit me gjatësi prej 1.5 cm të cilat ishin të kultivuara në 5 saksi.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

loading…