Akuza e kundërakuza janë hedhur në seancën e jashtëzakonshme për Telekomin e Kosovës.

Teksa deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se shteti po kryen vjedhje me kontratën e Telekomit dhe Z-Mobile, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se po bëhen shtrembërime të fakteve.

Ai ka thënë se Haxhiu dhe deputetët duhet të ofrojnë fakte për dëmet që po i bëhen Telekomit.

Haradinaj ka bërë thirrje të mos nënshkruhen kontrata të dëmshme nga Telekomi teksa ka shtuar se nuk guxon të japë para për një kompani që është para falimentimit.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se interesin publik nuk e dëmton për hatër të Blerim Devollit, i cili është pronar i Z-Mobile.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tregoi për hapat që i ka marrë qeveria për përmirësimin e gjendjes në Telekom.

“Unë kam përgatitur një shpjegim prej rezolutës deri sot. Është mirë ta themi që MZHE-ja ka fillu një proces të rikonstrukturimit me EBRD, nga bordi aktual ka fillu procedurë shkarkimi për dy anëtarë që ka përfunduar me dorëheqje, pra njërin e dini për punësime familjare” tha ai.

Tutje i pari i qeverisë tha që qeveria ka krijuar mekanizëm juridik për të vlerësuar kontratën me Z-mobile.

“Për t’iu shmangur një arbitrazhi të dytë, është kriju një mekanizëm i shqyrtimit të kontratës. Kontrata është e lidhur me licencë që e ka afatin deri në korrik të vitit 2019, dhe janë angazhuar një grup i ekspertëve për të parë arsyeshmërinë e kontratës, pas këtyre vlerësimeve ne do të marrim vendim”, theksoi Haradinaj.

Haradinaj tha që pavarësisht respektit për Blerim Devollin, drejtuesin e Z-Mobile, nuk do të lejojë dëmtimin e Telekomit si dhe u zotua që nuk do të lejojë keqpërdorime nga bordi aktual.

“Unë e njoh Blerim Devollin e respektoj shumë, djali i Ibrahim Devollit, sipërmarrës boll i zoti, punëson njerëz, edhe paguan tatime, mirëpo interesin publik nuk e kam nijet me e çu në dëm për hatër të një sipërmarrësi. Nëse drejtori aktual nënshkruan kontratë të dëmshme, ai merr përgjegjësi ligjore, çdokush që merr vendime që i sjell dëme kompanisë, ata mbajnë përgjegjësi ligjore”, tha ai.

Në anwn tjetwr, sipas Albulena Haxhiut, 90 për qind e kontratave që ka nënshkruar Telekomi me kompanitë tjera janë të dëmshme për Telekomin.

Haxhiu është përplasur edhe me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së që tha se opozita po mundohet të sjellë mjegull mbi Telekomin përmes seancës së jashtëzakonshme.

Haxhiu ka thënë se se opozita është detyruar të thërrasë seancën pasi Qeveria ka heshtur ndaj kërcënimeve që Z-Mobile i bëri Telekomit.

E fjalimin e Haxhiut, Krasniqi e quajti “vajtim patetik”.