“Pothuajse ende shkëlqen”, shpata 3000 vjeçare zbulohet në Gjermani

Një shpatë bronzi më shumë se 3000 vjet e vjetër, e cila është aq mirë e ruajtur sa “pothuajse ende shkëlqen”, është zbuluar në jug të Gjermanisë.

Zyra shtetërore bavareze për ruajtjen e monumenteve historike (BLfD) tha se shpata, e cila besohet se daton në fund të shekullit të XIV-të para Krishtit – mesi i epokës së bronzit – u gjet gjatë gërmimeve të javës së kaluar në Nordlingen, midis Nurembergut dhe Stuttgartit.

Shpata ka një dorezë tetëkëndëshe dhe u gjet në një varr në të cilin tre persona – një burrë, një grua dhe një djalë – ishin varrosur së bashku me objekte bronzi, tha BLfD.

Nuk ishte ende e qartë nëse të tre kishin lidhje me njëri-tjetrin dhe nëse po, si, raporton theguardian.

Prof. Mathias Pfeil, kreu i BLfD, tha se “shpata dhe varri duhet ende të ekzaminohen në mënyrë që arkeologët tanë të mund ta kategorizojnë më saktë këtë gjetje. Por, tashmë mund të themi se gjendja e shpatës është e jashtëzakonshme. Një zbulim si ky është shumë i rrallë”.

Është e pazakontë të gjesh shpata nga kjo periudhë, por ato kanë dalë nga tumat e varreve që u hapën në shekullin e XIX-të ose si gjetje individuale, tha BLfD.