Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që ka audiencë të gjerë dhe miratuese në thuajse gjithçka edhe sivjet e gjen veten në vërshim të reagimeve ‘të nervozta’ në çështjen e përkrahjes së komuniteteve pakicë seksuale në vend; ku dje sërish doli në shëtitjen e çdovjetshme në shesh për Paradën e Krenarisë.
Postimi i Kurtit në shumicën dërmuese të reagimeve përmban reagime të mllefosura e komente të inatosura; ndërsa edhe mbështetja si në shpërndarje të postimit siç rëndom shpërndahet nga vartësit e tij kësaj here ka munguar.
Përveç Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, që mori pjesë edhe vetë në Paradën e Krenarisë, si dhe zëdhënësit të qeverisë, Përparim Kryeziu, tjerët, aty-këtu, janë mjaftuar me ndonjë ‘llajk’.
Postimi i Kurtit:
Republika jonë është demokratike. Nuk e përjashton asnjërin dhe garanton barazi për të gjithë dhe secilën e secilin. E është pikërisht barazia që na e mundëson bashkimin, pamundëson përjashtimin dhe sjell gjithëpërfshirjen.
Slogani “Kemi qenë dhe do t’jemi”, jep mesazhe të dashurisë, të të drejtave, pa paragjykime. Parada e krenarisë afirmon diversitetin dhe kundërshton stigmatizimin.
E ndryshmja reflekton larminë e qenies sonë njerëzore, jo shkakun a arsyen e diskriminimit të tjetrit.







