Posta e Kosovës injoron vendimin e Inspektoratit, hap konkurs për kryeshef ekzekutiv

Posta e Kosovës ka hapur konkurs për kryeshef ekzekutiv të ndërmarrjes si dhe zyrtar kryesor të financave dhe thesarit.

Këto dy pozita mbetën të lira pas shkarkimit të dy zyrtarëve që mbanin këto poste në fillim të muajit të kaluar.

Ish-kryeshefi ekzekutiv i Postës, Shefqet Avdija dhe zyrtari financiar, Behgjet Maliqi, u shkarkuan nën arsyetimin për perfomancë të dobët, madje shkarkimi u cilësua nga ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari “në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike”.

“Ky shkarkim është bërë në përputhje me Ligjin për Ndërmjarret Publike”, kishte thënë Hajdari, duke shtuar se ndërmarrja kishte degarduar gjatë viteve të fundit.

Por një vendim të tillë Inspektorati i Punës e ka shpallur të paligjshëm dhe më 27 maj ka marrë vendim që ta kthejë në punë ish-kryeshefin, Shefqet Avdija.

Sipas vendimit të Inspektoratit, ish-kryeshefi Shefqet Avdija, duhet të rikthehet në pozitën që ka pasur brenda 8 ditëve, pavarësisht ankesave që mund të bëhen.