Posta e Kosovës bëhet gati të blejë vetura të reja, hap tender 250 mijë euro

Posta e Kosovës është duke planifikuar t’i blejë disa vetura të reja. Për blerjen e tyre është shpallur edhe një tender, që kap vlerën e 250 mijë eurove. Është kërkuar që veturat të jenë të reja me kilometra 00 dhe prodhim i 2022-ës.

Në oborrin e Postës së Kosovës shumë shpejt do të zënë vend edhe disa vetura të reja.

Blerjen e tyre tashmë e ka planifikuar menaxhmenti i kësaj kompanie publike, pasi ka shpallur edhe një tender.

Sipas parashikimeve të bërë, blerja e këtyre veturave do të kushtojë jo më pak se 250 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Në njoftimin e shpallur në e-prokurim është treguar se me 250 mijë euro do të blihen 7 vetura të transportit të dërgesave postare dhe 2 vetura të udhëtarëve.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 250 000,00. Furnizim me 7 vetura të transportit të dërgesave postare dhe furnizim me 2 vetura të udhëtarëve”. Numri i prokurimit: vetak-22-7787-1-1-1, nr. të brendshëm: PK-22-41-111”, thuhet në njoftim, përcjell Demokracia.com.

Po ashtu, tutje është treguar se veturat duhet të jenë të vitit 2022 dhe me garancion 5-vjeçar.

“Veturat duhet të jenë të reja me kilometra 00 dhe duhet të jenë viti i prodhimit 2022. Veturat duhet të kenë garancion se paku 5 vite nga momenti i liferimit. Në kuadër te garancionit duhet te përfshihet asistenca rrugore, pa kosto shtese, si dhe te ofrohet lista me çmime për servis te rregullt. Afati i liferimit është max një (1) vit kalendarik nga data e nënshkrimit të kontratës”.

Sipas njoftimit, afati i fundit për pranim të tenderëve/aplikacioneve është data 20.09.2022./Demokracia.com/