Ponosh: Të hënën bëhet fejesa e Vuçiqit me Kurtin

Kryetari i Lëvizjes së Qendrës së Serbisë (SRCE), dhe ish-kandidati i opozitë serbe për president të Serbisë, Zdravko Ponosh ka vlerësuar se nuk ka arsye për të mos besuar deklaratës së dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, i cili ka paralajmëruar se në takimin e të hënës në Bruksel, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti do ta pranojnë zyrtarisht marrëveshjen e ofruar.

Ponosh ka deklaruar për televizionin serb “Nova S” se Vuçiq dhe Kurti “do të fejohen” në Bruksel dhe se “kumbarët që rregulluan këtë martesë” nuk do të tolerojnë ndryshimin e mendjes së tyre pas të gjitha premtimeve që kanë marrë prej tyre dhe pas gjithë asaj që kanë investuar, transmeton Paparaci

Ai ka shtuar se, megjithëse marrëveshja e ofruar nuk flet për njohjen eksplicite të Kosovës nga Serbia, as për anëtarësimin e Kosovës në OKB, një marrëveshje e tillë u jep hapësirë ​​pesë mos njohësve të BE-së për të interpretuar se Serbia në mënyrë indirekte pranon shtetësinë e Kosovës dhe nuk është kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB”.

“Një marrëveshje që do të ishte e mirë për Serbinë duhet të përmbajë klauzola eksplicite se kjo nuk nënkuptohet, pra se Kosova nuk do të anëtarësohet në OKB”, ka pretenduar ai.

Ponosh ka thënë se “nuk e sheh se si një marrëveshje e tillë do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të Serbisë dhe qytetarëve të Kosovës”.

“Është e qartë për mua pse aktorët perëndimorë këmbëngulin që marrëveshja të nënshkruhet: prioriteti i tyre është zgjidhja e situatës së krizës në rajon, në mënyrë që ajo të mos bëhet një terren pjellor për ndikimin rus dhe jo të zgjidhen problemet e qytetarëve të thjeshtë. Është gjithashtu e qartë se çfarë fiton Prishtina me marrëveshjen. Nuk është e qartë dhe nuk shkruan se çfarë fiton Serbia, dhe cila është ajo “punë e madhe” që pretendohet se zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Serbia do të fitojë”, ka thënë Ponosh.