Një gjykatë ruse e ka gjobitur dy herë ish-kryebashkiakun Yevgeny Roizman me 50 mijë rubla për kritikën që ia ka bërë luftës në Ukrainë, raportojnë mediat ruse.
Politikani u shpall fajtor për “diskreditim të Forcave të Armatosura të Rusisë” në dy çështje administrative.
Shuma e gjobës prej 100 mijë rubla nuk është përfundimtare, Roizman do të ketë një tjetër gjyq më 7 prill sipas protokollit të tretë administrativ.
Në mëngjesin e 29 marsit, u bë e ditur për dy çështje administrative të iniciuara kundër tij – për shkak të një postimi në Tëitter dhe një videoje. Më vonë atë ditë, u ngrit një rast i tretë. Për çfarë arsye, nuk u specifikua.
50 mijë rubla është shuma maksimale e gjobës për qytetarët sipas nenit për diskreditimin e ushtrisë ruse (neni 20.3.3 i Kodit të Kundërvajtjeve Administrative).
Shumë rusë janë kundër luftës që ka nisur Putini në Ukrainë. Ndërsa vetë presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka sponzorizuar një ligj, që parasheh deri 15 vjet burg për ata që e quajnë luftë pushtimin e Ukrainës dhe janë kundër këtij vendimi.







