Policia vazhdon patrullimet, apelon për respektim të masave antiCovid

Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek qytetarët për respektim të masave AntiCovid.

Patrullat policore angazhohen gjithandej vendit në çdo kohë, duke kryer detyrat policore dhe duke u angazhuar për të zbatuar ligjet e vendit.

“Zbatimi i Ligjit AntiCovid-19 nga policia është një detyrë sa ligjore aq edhe humane, andaj apelojmë tek qytetarët të respektohen dispozitat ligjore dhe vendimet e institucioneve të vendit në të mirë të shëndetit publik!”, thuhet në njoftimin e Policsë së Kosovës.

Të premten në Kosovë janë shënuar edhe 14 të vdekur nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19.

Në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) thuhet se viktimat janë nga: Gjilani 4 raste, Obiliqi 3, Prishtina 2, Ferizaj 1, Gjakova 1, Podujeva 1,Suhareka 1 dhe Vitia 1 rast.

Në bazë të rezultateve të analizave laboratorike të 3.230 mostrave të testuara, pozitivë në koronavirusin e ri kanë dalë edhe 520 persona.

Pra, 16 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë. Sëmundjen e kanë mundur edhe 646 pacientë ndërsa raste aktive janë 12.760.

Në bazë të këtyre shifrave, që nga marsi i vitit 2020 dhe deri më 16 prill 2021, në Kosovë janë regjistruar 100.655 raste me koronavirusin e ri. Prej tyre 85.842 janë shëruar ndërsa 2.053 kanë vdekur.