Policia ukrainase heton akuzat për dhunë seksuale nga ushtarët rusë

Policia në Ukrainë ka marrë rreth 50 ankesa dhe ka hapur 16 hetime penale mbi akuzat për dhunë seksuale të kryer nga ushtarët rusë kundër civilëve, tha sot zëvendësministrja e Brendshme e vendit.

Ukraina, aleatët e saj ndërkombëtarë dhe zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut kanë hetuar për krime të mundshme lufte, përfshirë dhunën seksuale, në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin e saj 100 ditë më parë.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Moska mohon kryerjen e krimeve të luftës ose shënjestrimin e civilëve gjatë një lufte që ka vrarë mijëra njerëz dhe ka detyruar miliona njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, të largohen nga atdheu i tyre.

“Sa i përket dhunës seksuale kundër popullatës civile, kjo është një temë shumë e vështirë”, tha zëvendësministrja, Kateryna Pavlichenko në një konferencë.

“Një temë për të cilën viktimat, si rregull, nuk duan të flasin, pasi frikën dhe dhimbjen që kanë përjetuar… duan ta harrojnë sa më shpejt”.