Policia thirrje qytetarëve: Respektoni masat antiCOVID, për t’i shmangur ndëshkimet

Zyrtarët e Policisë së Kosovës janë duke vazhduar me patrollimet e tyre nëpër qytete për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë masat antiCOVID.

“Zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës, po kryejnë detyrat dhe obligimet e tyre kushtetuese, ligjore dhe administrative duke u kujdesur për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ruajtjen e shëndetit publik në këtë kohë pandemie. Qytetarë të nderuar, përmbajuni udhëzimeve të institucioneve shëndetësore, përmbajuni vendimeve të institucioneve, ta ruajmë shëndetin dhe jetën duke respektuar udhëzime e vendime që janë në të mirë të të gjithëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje, në njoftim thuhet se Policia do të vazhdojë të zbatojë Ligjin AntiCOVID, përmbajuni vendimeve për t’i shmangur ndëshkimet.

Ndryshe, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 599 raste të reja me COVID-19.