Policia ruse nis ‘gjahun’ për mbështetësit e opozitarit Navalny

Policia e Moskës po përdor të dhënat personale nga projektet e lidhura me politikanin e burgosur të opozitës, Aleksei Navalny, për t’i hetuar njerëzit që kanë mbështetur kritikun e Kremlinit. Faqja e internetit OVD-Info tha se policia kishte vizituar rreth 20 individë të cilët u regjistruan për projektet online të zhvilluara nga bashkëpunëtorët e Navalny.

Gjithashtu policia ka vizituar edhe ata që kanë dhuruar para për Fondacionin Anti-Korrupsion të Navalny. Sipas OVD-Info, policia po kërkon shpjegime nga njerëzit se si emrat e tyre u përfshinë në të dhënat e rrjedhura në lidhje me projektet në internet të Navalny dhe pse ata janë të përfshirë me të.

Në qershor, një gjykatë në Moskë i etiketoi projektet dhe grupet e tjera të Fondacionit Anti-Korrupsion si ekstremiste dhe i ndaloi ato. Sipas ligjit rus, bashkëpunimi me grupe të tilla konsiderohet i paligjshëm dhe mund të çojë në ndjekje penale deri te burgosja. Policia nuk ka thënë se si i ka marrë të dhënat personale të njerëzve nga faqet e internetit të Navalny. Një person, i cili nuk u identifikua, tha për OVD-Info se policia i kërkoi atij të paraqiste një ankesë ligjore kundër Navalny për ta akuzuar atë për ndarjen e të dhënave personale.

Gazetari dhe ligjvënësi komunal, Ilya Azar, të dhënat personale të të cilit ishin mes atyre që u zbuluan, shkroi në Telegram se policia ishte përpjekur ta vizitonte edhe atë, por ai nuk ishte në shtëpi. “Ata biseduan me fqinjët e mi për disa të dhëna personale të rrjedhura në internet”, shkroi Azar. Një rrjedhje e tillë ndodhi në prill, kur fushata në internet e quajtur “Liri për Navalny” u komprometua.

Bashkëpunëtorët e Navalny thanë në atë kohë se një ish-punonjës i FBK-së kishte “vjedhur” të gjitha të dhënat personale të atyre që u regjistruan në faqen e internetit pro-Navalny. Pas asaj rrjedhjeje, Kompania Metropolitane e Moskës pushoi nga puna dhjetëra punëtorë, të dhënat personale të të cilëve u shfaqën në mesin e emrave të mbështetësve të Navalny.