Policia publikon numrin e aksidenteve mes trenave dhe veturave për nëntë muaj në Kosovë

 Më 3 shtator të këtij viti tre persona në mesin e të cilëve edhe një 5 vjeçare kanë humbur jetën në fshatin Dush të Klinës, ku vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e aksidentit në mes veturës dhe trenit.

Në vendin tonë që nga janari e deri më tani kanë ndodhur gjithsej 25 aksidente në mes veturave dhe trenave, e në mesin e tyre është edhe aksidenti i 3 shtatorit, ku të vdekur kanë mbetur 3 persona.

Policia e Kosovës përmes emailit për Kp ka treguar arsyet që kanë dërguar deri tek aksidentet në mes të veturave dhe trenave.

“Për periudhën kohore janar-gusht 2018, aksidente me tren kanë qenë 25, ku prej tyre një ka qenë aksident fatal me 3 persona të vdekur. Shkaktarët më të shpeshtë të numrit të përgjithshëm të aksidenteve për këtë periudhë kohore kanë qenë, manipulimi i pasigurt me automjet apo pakujdesia, mos mbajtja e distancës, mos përshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës dhe kyçja e pasigurt në rrugë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Edhe në fshatin Dush të Klinës deri tek aksidenti sipas Policisë ishte ardhur si pasojë e mos respektimit të shenjave të komunikacionit. Mirëpo, në atë vendkalim hekurudhor përveç sinjalistikës së thjeshtë, nuk ka ndonjë laurë që mbyllë rrugën kur treni është duke kaluar.

Mungesa e sinjalistikës në vendkalimet hekurudhore në tërë Kosovën mungojnë, ku diku ka vetëm shenjë të thjeshtë komunikacioni se aty kalon treni, e diku tjetër nuk ka fare.

Janë qytetarët ata që thonë se ndjehen të rrezikuar sa herë që kalojnë në vendkalimet hekurudhore. Kështu në rrugën “Berati” që gjendet në Fushë Kosovë ka një vendkalim hekurudhor, e ky vend nuk është i siguruar me laurë, por vetëm me sinjalistikë të thjeshtë.

Qytetari Fehmi Jashari i cili bëri të ditur se çdo ditë kalon në atë pjesë të rrugës, u shpreh se ndjehet i rrezikuar për shkak se mungon një laurë që ndalon qarkullimin kur treni është duke ardhur.

“Rrezik është, katër herë në ditë qarkullon treni, qarkullojnë automjetet ku lidhet rruga me Obiliq, me Mitrovicë. Siç po e shihni vet nuk kanë kohë janë duke u marrë me sene më të mëdha prej kryetarit të shtetit e deri tek kryeministri, mos të them për të komunës se komunës nuk i takon kjo. Fatkeqësisht njerëzit pësojnë ky është realiteti”, tha ai.

Edhe qytetari tjetër Mus Baftiu, mendon të njëjtën gjë, ku ai thotë se rreziku është gjithmonë sa herë që kalon në atë pjesë.

“Rreziku këtu gjithmonë është i hapur, rreziku këtu është permanent për të gjithë kalimtarët të cilët bëjnë kalimin e kësaj rruge, kjo pjesë e banorëve të cilët banojnë këtë anë gjithmonë janë në rrezik. Pasi që këtu nuk ka rampa apo mbrojtëse dhe ka pasur raste ku këtu njerëzit e kanë pësuar edhe me jetë. Kjo është një lloj papërgjegjësie e hekurudhës edhe e institucioneve të cilat janë kompetente për me bë sigurimin e këtij vendkalimi”, është shprehur ai.

Në të njëjtën gjendje është edhe vendkalimi hekurudhor në rrugën “Pajtim Islami” në Fushë Kosovë, madje këtu nuk ka as shenjë të thjeshtë që lajmëron se aty kalon treni.

Ndërsa, në qytetin e Drenasit në vendkalimin hekurudhor gjendet laura, por megjithatë edhe aty qytetarët thonë se ndjehen të rrezikuar.

Hajrush Gashi nga fshati Llapushnik ka thënë se aty gjithmonë ndodhin aksidente edhe përkundër që ka sinjalistikë të mjaftueshme.

“Ndjehemi të rrezikuar me kanë që nuk punojnë këto, ai që i përcjell shenjat ma merr mendja që nuk është i rrezikuar. Ka pasur aksidente këtu edhe në atë pjesën më andej se atje nuk ka shenja. Për këtu është rampa dhe është vendi i sinjalizuar tash për atë që i kupton”, është shprehur ai.

Derisa infrastruktura hekurudhore në Kosovë vazhdon të përballet me mungesat më elementare, siç është sinjalizimi i vendkalimeve hekurudhore, institucionet hedhin fajin tek njëra tjetra.

Kryeshefi ekzekutiv i Infrakos-it, Agron Thaçi, ka thënë ndërmarrja që ai drejton nuk është përgjegjëse për vendkalimet rrugore në hekurudha, por janë kuvendet komunale, Ministria e Infrastrukturës apo investitorët që kanë investuar në atë rrugë.

“Me ligj ne nuk jemi përgjegjës, përgjegjës janë komunat ku janë rrugë komunale, ndërsa ministria e Transportit nëse rruga i takon asaj. Ne po bëjmë, kemi bërë edhe projekt me ministrinë e Transportit që në linjën Drenas-Pejë t’i vendosim diku afër 9 deri në 10 vendkalime, por ato marrin kohë dhe janë kosto shumë e lartë. Ne nuk pretendojmë se menjëherë do të mund t’i sigurojmë me barriera, sepse ato nuk kanë qenë të siguruara që nga themelimi i hekurudhës dhe janë po të njëjtat vendkalime. Por, si duket tani kemi numër shumë të madh të automjeteve dhe fatkeqësisht kemi mos respektim të shenjave. Ne edhe në udhëkryq të rrugëve po që se nuk i respektojmë ne mund të pësojmë aksident. Prandaj, apeli jonë si hekurudha të Kosovës është që të gjithë ngasësve, të gjithë atyre qytetarëve që e kalojnë hekurudhën kujdes, respektoni shenjat dhe mos ecni nëpër hekurudha”, është shprehur ai.

Megjithatë Thaçi, thotë se do të bëjnë çmos që këto vendkalime të sigurohen, ndërkohë që sipas tij zgjidhje nuk janë laurat, por mbikalimet dhe nënkalimet.

“Ne si hekurudha, me ministrinë, me qeverinë do të bëjmë çmos që të gjitha ato pika të zeza t’i eliminojmë. Zgjidhja nuk është tek barrierat, tek laurat, sepse ato po thyhen, ato mund të jenë në defekt, nuk është zgjidhja qind për qind edhe aty ka rrezikshmëri. Zgjidhja është mbikalime ose nënkalime, prandaj me të gjitha komunat ne po bisedojmë aty ku ka mundësi nënkalime le të bëhen dhe aty ku ka mundësi patjetër edhe mbi kalime të tipit urë, t’i evitojmë kalimet në nivel sepse ato paraqesin rrezik, qoftë pa laura, qoftë me laura. Ato siç e tham janë të shënjëzuara, me rregulla te komunikacionit por nganjëherë edhe vidhen”, ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, Fatos Mani, këshilltar i ministrit të Infrastrukturës, thotë se përgjegjësia për vendosjen e sinjalistikës nëpër vendkalimet hekurudhore është përgjegjësi e përbashkët që e kanë me Infrakos-in.

I gjithë problemi sipas tij do të zgjidhet në afatin sa më të shpejt, por që thotë se zgjidhja nuk është e lehtë dhe nuk është i lirë. Po ashtu, ai thotë se këtë gjendje të vendkalimeve hekurudhore e kanë të trashëguar.

“Kjo realisht hyn në kuadër të përgjegjësive të përbashkëta që i ka ministria jonë me Infrakos-in. Infrakosi dihet që në mënyrë direkte thuajse i raporton Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, por meqenëse kemi aktivitet të përbashkët që kryqëzohen për shembull rrugët tona me hekurudhat na bije edhe neve përgjegjësia”, ka thënë ai.

Mani thotë se Infrakosi ka mbetur që të zhvillojë procesin se si do të duhej të dukej rritja e sigurisë nëpër vendkalimet hekurudhore, e Ministria e Infrastrukturës do ta financojë.

Sipas të dhënave të ofruara nga Infrakos në vitin 2017, kanë ndodhur gjithsej 17 aksidente të veturave me trena, ku të vdekur kanë mbetur tre persona, ndërkohë që në vitin 2016 kanë ndodhur 14 aksidente ku një person ka mbetur i vdekur.