Policia përgënjeshtron autoritetet serbe: Raportimet për sjelle të vrazhda nuk qëndrojnë

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media njofton se  situata e sigurisë në veri të vendit edhe sot vazhdon të jetë e njëjtë që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale, po ashtu edhe dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura tanimë për arsye të njohura, pasi që, siç thuhet në njoftim, grupet kriminale po pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave.

“Pavarësisht akteve kriminale dhe sulmeve të raportuara ndaj personelit të sigurisë, personelit monitorues ndërkombëtar dhe mediave, Policia e Kosovës vazhdon të mbetet vigjilente dhe e angazhuar në nivelin dhe moralin më të lartë të kryerjes së detyrave kushtetuese dhe ligjore, në interes të sigurisë së përgjithshme”, thuhet në njoftim.

Përmes komunikatës Policia e Kosovës thotë se në kuadër të vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me kohë por ndërmerr masat e sigurisë, masat e nevojshme mbështetëse dhe logjistike, përfshirë veshmbathjen dhe ushqimin për personelin e saj në detyrë.

“Ashtu siç e kemi theksuar edhe më parë Policia e Kosovës do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës e bazon punën në vlerat e saja si profesionalizmi, përgjegjësia dhe integriteti, në kuadër të të cilave ofron siguri dhe trajton të gjithë qytetarët pa dallime, andaj spekulimet e vazhdueshme nga mediat, kryesisht serbe, se gjoja zyrtarët policorë në veri të vendit kanë sjellje jo të mira, të vrazhda dhe jomiqësore ndaj komunitetit serb, nuk qëndrojnë dhe janë të pavërteta”, thuhet në njoftim.