Policia për gjashtë muaj arrestoi 725 persona të dyshuar dhe konfiskoi mbi 600 kilogramë drogë (VIDEO)

Policia e Kosovës në një konferencë për media, ka dhënë informacione lidhur me një operacion policor të zhvilluar dje nga njësitet e antidrogës, me ç’rast u konfiskuan dëshmi të rëndësishme, substanca narkotike, automjete dhe u arrestuan disa persona të dyshuar.

Fillimisht zëdhënësi i Policisë, Daut Hoha, ka thënë se Policia e Kosovës ka realizuar disa operacione të suksesshme në luftimin dhe parandalimin me substanca të ndryshme narkotike.

“Gjatë këtyre operacioneve janë konfiskuar sasi e konsiderueshme e substancave të dyshuar narkotike, janë arrestuar numër i madh i personave të dyshuar si dhe janë shpartalluar disa grupe të ndryshme kriminale. Policia në bashkëpunim me autoritete tjera duke përfshirë edhe organizata joqeveritare në vazhdimësi po punojmë për parandalimin e rasteve të abuzimit me substanca narkotike, megjithatë në aspektin ligjor ne do të ndërmarrim masa rigoroze ndaj atyre që janë të involvuar në trafikim dhe vepra tjera të kundërligjshme”, ka thënë Hoxha.

Hoxha ka përmendur rastet që Policia ka iniciuar gjatë vitit 2018 dhe në gjashtë mujorin e parë 2019.

“Lidhur me rastet dhe konfiskimet gjatë vitit të kaluar Policia ka iniciuar 1866 raste që ndërlidhen me substanca narkotike, janë 2322 persona të dyshuar prej tyre 2171 persona të arrestuar. Gjatë këtyre operacioneve në vitin 2018 është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e substancave narkotike, pra rreth 980 kilogram marihuan, ndërsa heroinë janë rreth 20 kilogram. Ndërsa gjatë periudhës janar-qershor 2019 kemi të iniciuara 613 raste, me 766 të dyshuar dhe 725 persona të arrestuar. Ndërsa konfiskimet e drogave kanë shkuar mbi 600 kilogram”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtoresha e Divizionit kundër krimit të organizuar, kolonele Florie Halaj, ka folur për operacionin e fundit të realizuar nga Policia e Kosovës.

“Në muajin qershor java e fundit janë zhvilluar dy operacione, njëri në Prishtinë, tjetri në Ferizaj, ku janë arrestuar shtatë persona të dyshuar dhe konfiskimin e mbi 136 kg substancë narkotike të llojit marihuanë. Rasti i fundit është dje më 30 qershor 2019, në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë në fshatin Lluzhanë, ku drejtoria për hetimin e trafikimit me narkotik ka realizuar operacionin policor ku ka ndaluar tri vetura të dyshuara nën dyshimin e bazuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge. Gjatë kontrollit në njërën nga tri veturat, në bagazh janë gjetur tetë paketime me marihuanë, ndërsa në vazhdim të operacionit janë kontrolluar edhe tri shtëpi. Një në fshatin Bajqinë në Podujevë dhe dy në Viti, por nuk është gjetur asgjë. Janë arrestuar tre persona meshkuj dhe janë konfiskuar 81 kilogram marihuanë ku vlera sillet rreth 100 mijë euro. Po ashtu janë sekuestruar tri vetura dhe pesë telefona celular”, ka thënë ajo.

Ajo ka përmendur edhe ndy raste tjetër në Janjevë dhe në Ferizaj ku po ashtu është konfiskuar substancë narkotike.

“Rasti tjetër është zhvilluar më 24 qershor, ku janë konfiskuar mbi 108 kilogram marihuanë dhe janë arrestuar nëntë persona më një depo afër udhëkryqit të Janjevës. Në konsultim me Prokurorinë në Ferizaj ka konfiskuar edhe 55 kilogramë e gjysmë marihuan dhe ka arrestuar katër persona të dyshuar. Këta në vlerë sillen 75 mijë euro, ndërsa janë sekuestruar edhe gjashtë vetura, 11 telefona, një armë, 123 mijë para të gatshme”, ka thënë ajo.