“Policia Patriotike”, si një fashizëm që vjen kga Kosova e Albin Kurtit

Nga Mero Baze

Sot vendosa të bëj një ushtrim të vështirë, që të ha kohë. Disa dhjetëra mesazheve kërcënuese në inbox, kryesisht nga mërgimtarë të Kosovës, u vizitova profilin. Në 100 për 100 të rasteve ishin mbështetës të Albin Kurtit.

Të biem dakord nuk është se më shqetësojnë kërcënimet dhe as ndjehem i rrezikuar prej tyre. E gjitha vlen thjesht për të verifikuar kush po e nxit një frymë linçimi në shoqërinë shqiptare në emër të “patriotizmit”, një lloj fashizmi që vjen prej Albin Kurtit, i cili ka marrë përsipër krijimin e policisë patriotike shqiptare.

E di se mesazhe të tilla marrin dhjetëra gazetarë shqiptarë, që përballen me tema të tilla dhe do të uroja mos të ndiheshin të frikësuar. Një prej tyre Una Hajdari, ndoshta gazetarja më e re me origjinë shqiptare që ka arritur të botojë në shtypin më prestigjioz botëror, po ashtu ishte ndjerë e fyer dhe kërcënuar nga mesazhe të tilla. Përmes një twiteri, ajo denoncoi gjuhën neveritëse ndaj saj, nga bashkëkombësit e saj shqiptarë.

Ka mes tyre nga ata që betohen se do të udhëtojnë në Shqipëri të bëjnë masakra, ka të tjerë që të bëjnë inventarin e kokave që do të presin nga familja jote, por dhe ka më idiotë akoma, ata që thonë, “po si guxon me zë në gojë “të madhin Albin Kurti”.

Rasti i Bregoviçit nuk është debat kulturor, siç përpiqen ta mbrojnë avokatët e linçuesve. Askush nuk po hyn në debat kulturor nëse muzika e Bregoviçit është më e mirë se muzika shqiptare apo anasjelltas. Madje në Shqipëri, Bregoviçin nuk e njohin as 1 për qind të asaj që e njohin në Kosovë.

Rasti i Bregoviçit është një debat politik, që po teston një fenomen të rrezikshëm që po lind në shoqërinë shqiptare, pikërisht prej frymës fashiste të Albin Kurtit. Ky rast provon ekzistencën e të gjitha instrumenteve që fashizmi përdori për të mposhtur shoqërinë, vullnetaret e dhunshëm që kërcënojnë me dhunë, dhe policinë e mendimit patriotik, që frymëzohet prej “të madhit Albin Kurti”.

Ky fenomen është parë në Kosovë, gjatë fushatës së fundit elektorale, në linçimin e disa gazetarëve kritikë me të, që shkoi përtej përmasave njerëzore.

Tani kjo “polici patriotike” po ruan dhe çfarë ndodh në Shqipëri, kush duhet të këndojë e kush jo, çfarë duhet të lexojmë, dhe çfarë jo, e mbi të gjitha, si duhet të mendojmë.

E di që nuk është ende rrezik të shqetësohemi nga plehra të tilla, por fakti që ata guxojnë ta bëjnë, tregon shumë.

Fashizmi që vjen nga Kosova e Albin Kurtit, nuk është një fenomen që rrezikon Shqipërinë, se këtu nuk pi ujë, por është një fenomen që rrezikon Kosovën. Ai vend u bë i pavarur, pikërisht se një fashizëm tjetër, kaq idiot sa ky, donte të dominonte popullin e Kosovës bazuar mbi parime etnike. Kosova u bë aleat i gjithë vendeve të NATO dhe Bashkimit Evropian për të bombarduar Serbinë, falë fashizmit të Sllobodan Miloshevicit mbi shqiptarët.

Fashizmi i ri i inkurajuar nga Albin Kurti, është një gjëmë që duhet marrë fund seriozisht tani, ende pa u bërë institucion. Kapardisjet e tij “sovraniste”, hedhja poshtë e Marrëveshjes së Uashingtonit, lëshimi i trushpëlarëve linçues mbi çdo kënd që bie ndesh me policinë e mendimit patriotik të Albin Kurtit, përdorimi i falangave të dhunshëm, tipit “tifozat Kuq e Zi”, dhe mbi të gjitha, krijimi i idesë se ai po i del zot “shqiptarisë”, janë simptoma të qarta të një nazizmi në pushtet.

Edhe Milosheviçi kështu e nisi në Fushë Kosvë, duke i thënë serbve “Askush nuk do t’iu prekë më” se më keni mua dhe në fund dorëzoi Kosovën. Se Kosova është vendi ku fashizmi është i detyruar të vrasë të zotin, jo të tjerët.

Aq më pak ne, që jetojmë në Shqipëri, që dhe nëse duam të bëhemi “agjent të Serbisë”, siç baltosin këta neonazistët e Kurtit, na duhet një përkthyes kosovar.