Policia: Numri i aksidenteve me fatalitet ka shënuar rënie

Institucionet përgjegjëse për sigurinë në trafikun rrugor janë mbledhur sot për të harmonizuar aktivitetet lidhur me sigurinë pranë shkollave. Është vendosur që të ketë prezencë të shtuar të policisë në afërsi të shkollave, sidomos atyre në rrugë nacionale.

Në konferencën e Policisë së Kosovës, u tha se numri i aksidenteve me fatalitet, për periudhën janar-gusht të këtij viti, krahasuar me 2018-ën, ka shënuar rënie.

Tani kur po afrohet fillimi i vitit shkollor, institucionet po përgatiten për një siguri më të madhe në trafik, në rrugët që i përshkojnë nxënësit për të shkuar në shkollë.

Policia e Kosovës, Ministria e Arsimit, ajo e Infrastrukturës, Drejtoria e Arsimit dhe ajo për Shërbime Publike në Komunën e Prishtinës, kanë mbajtur sot një takim në Policinë e Kosovës, ku janë marrë vesh për aktivitetet e përbashkëta që do t’i ndërmarrin për rritjen e sigurisë së trafikut në rrugë, sidomos pranë shkollave.

Nënkolonel Jeton Rexhepi nga divizioni i trafikut bëri të ditur se ka rënie të numrit të aksidenteve me fatalitet.

Ai bëri të ditur se numri i identifikimit të kundërvajtësve nga ana e PK-së është në rritje për 7194 kundërvajtje më shumë, apo 2.65%.

Ndërsa tha deri në moshën 12 vjeç janë 5 persona që kanë humbur jetën gjatë këtij viti, nga mosha 13 deri 18 vjeç është 1 person, ndërsa mbi moshën 19 vjeç janë 52 persona që kanë humbur jetën.Rexhepi tha se deri më tani janë 21 shoferë, 15 pasagjerë dhe 22 këmbësorë që kanë humbur jetën.

Ai gjithashtu bëri të ditur se PK do të shtojë sigurinë në rrugë me fillimin e muajit shtator.Ndërsa Alush Istogu nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se i gjithë viti shkollor kërkon siguri dhe vetëdijesim të nxënësve në komunikacion rrugor.

Medina Braha, drejtoreshë për shërbime publike në Komunën e Prishtinës, tregoi për veprimet që do t’i ndërmarrë komuna në këtë drejtim.

Nga Ministria e Infrastrukturës u rekomandua që prindërit që i kanë fëmijët në klasën e parë, t’i shoqërojnë ata deri në shkollë, dhe anasjelltas, ndërkohë të përdorin vazhdimisht vendkalimet për këmbësore dhe trotuaret e mundshme.

Në këtë konferencë, Policia e Kosovës kërkoi nga prindërit që t’i kushtojnë më shumë kohë fëmijëve për rregullat e trafikut rrugor.

loading…