Gjykata Speciale ditëve të fundit ka intensifikuar punën. Vetëm gjatë muajit tetor, është raportuar se nga kjo gjykatë kanë arritur 50 ftesa.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati i ka thënë lajmi.net se përpos ish ushtarëve të UÇK-së, ftesa po vijnë edhe për qytetarët.

Gucati ka theksuar se pritet të ndodhin edhe arrestime e para ndaj disa personave të dyshuar.

Mirëpo, edhe pse një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur, këto arrestime thuhet se do t’i kryejë Policia e Kosovës në bashkëpunim me Gjykatën Speciale.

Lajmi.net ka pyetur në Zyrën për media të PK-së nëse iu është kërkuar bashkëpunim nga Specialja për raste të tilla, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndërsa, avokati Arianit Koci i akredituar nga ky institucion, ka thënë se të gjitha organet shtetërore, kanë obligim që ta ndihmojnë Specialen nëse paraqitet nevoja.

“Të gjitha organet tona shtetërore duke përfshirë policinë kanë obligim që ta ndihmojnë dhe t’i binden urdhërave të Gjykatës Speciale, nëse paraqitet nevoja dhe bëhet kërkesë policia jonë ka obligim ligjor të veproj”, ka thënë Koci për lajmi.net.

Ai ka theksuar se Specialja i ka edhe njësitet e veta, mirëpo PK ka obligim të asistojë nëse shfaqet nevoja për çfardo lloj veprimi.

Sipas Kocit, tani nuk ka arsye që të ketë arrestime.

“Nuk kam informacion për ndonjë rast të tillë,edhe nuk ka arsye tash të fillojnë arrestimet për shkak se të gjithë të dyshuarit po iu përgjigjen ftesave pa problem”, ka përfunduar Koci.

Aktakuzat e para të Speciales pritet të ngritën gjatë muajit nëntor. Deri më tani kjo gjykatë ka intervistuar qindra dëshmitarë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës. E njëjta po i heton krimet që pretendohet se janë kryer nga shqiptarët gjatë luftës së fundit në Kosovë.

loading…