djegie

Policia njoftohet për një trup të pajetë në një kasolle në Drelaj, duke pritur hetuesit kasollja digjet

Një ngjarje tragjike ka ndodhur dje në Drelaj. Policia e Kosovës njofton se kishte marrë informatën rreth orës 15:00, të 16 dhjetorit, se në këtë fshat të Rugovës së Pejës, brenda në një kasolle druri gjendej një person që dyshohej të jetë pa shenja jete. Dy policë janë suspenduar, nën dyshimin për trajtim jo adekuat të vendit të ngjarjes.

“Policia njofton se patrulla policore menjëherë iu ka përgjigjur vendit të ngjarjes, po ashtu edhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar se personi i gjetur brenda është pa shenja jete”, thuhet në një njoftim për media të Policisë nga rajoni i Pejës.

“Përderisa zyrtarët policorë patrullues ishin duke pritur edhe njësitin e hetimeve për të arritur në vendngjarje për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme policore, papritmas kasollen e drurit e kishte kapluar zjarri dhe është djegur tërësisht. Referuar situatës së krijuar, vendit të ngjarjes iu kanë përgjigjur të gjitha njësit policore, duke përfshirë edhe ekspertin për hetimin e zjarreve nga njësiti i zjarrfikëseve”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas PK-së, lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe këqyrja e vendit të ngjarjes ka vazhduar edhe sot, për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rastin (Hetim i vdekjes).

“Policia e Kosovës në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operativo-hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat lidhur me rast, përderisa në këtë fazë janë suspenduar dy zyrtarë policor, nën dyshimin për trajtim jo adekuat të vendit të ngjarjes, për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme”, thuhet në njoftim, përcjell Koha.net. “Hetimet dhe veprimet e mëtutjeshme policore do të bazohen edhe në të gjeturat e ekspertit të zjarreve lidhur me zjarrin e shkaktuar, dhe sipas hetimeve preliminare të deklaruara nga eksperti i zjarrit dyshohet se zjarri është shkaktuar nga rryma”, thuhet më tej në njoftim.