Rektorati

Policia nis hetim për profesorin e denoncuar për ngacmim seksual

Policia e Kosovës ka nisur hetim me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për profesorin Xhevat Krasniqi, që është denoncuar nga disa studente për ngacmim seksual.

Prokuroria i tha Kohes se hetimet po kryhen me qëllim të mbledhjes së provave për këtë çështje, e në këtë fazë thanë se s’mund të ndajnë më tej informata.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen veprimeve hetimore, me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje. Aktualisht kjo çështje ndodhet në vazhdën e veprimeve të cilat janë duke u kryer në pajtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, andaj në këtë fazë nuk mund të ndajmë informata të tjera me ju”, thuhet nga Prokuroria Themelore.

27 studente e kanë denoncuar profesorin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi, për ngacmim seksual. Studentët dhe disa organizata joqeveritare kanë kërkuar përjashtimin e tij.