Policia në kërkim të të dyshuarit të pestë për dhunimin e 11-vjeçares

Policia e Kosovës është deklaruar lidhur me rastin e fundit të ndodhur në Prishtinë, ku një e mitur 11-vjeçare është dhunuar seksualisht nga pesë persona të dyshuar për disa orë radhazi.

Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se lidhur me rastin e dhunimit të raportuar dje, hetues nga drejtoria rajonale e Policisë në Prishtinë gjatë reagimit të shpejt kanë arrestuar dy persona të dyshimtë.

Pas hetimeve intensive të kryera nga hetuesit rajonal, sot janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar në këtë rast.

Po ashtu nga Policia e Kosovës është theksuar se kanë identifikuar edhe personin e pestë, i dyshuar për përfshirje në rastin e dhunimit të 11- vjeçares.

“Pra, lidhur me rastin e “ dhunimit” policia deri në këtë fazë ka arrestuar gjithsej katër (4) persona, personi i pestë (5) është identifikuar, është kërkuar në shtëpinë e tij, nuk është gjet në shtëpi dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu u tha se Polica e Kosovës është e përkushtuar në trajtimin e rastit të lartcekur në mënyrë sa më profesionale dhe kryerësit e këtij akti të sillen para organeve të drejtësisë.