Policia me plan të jashtëzakonshëm për nesër, të gjithë policët nisin punën në orën 3 të mëngjesit

Policia e Kosovës ka hartuar një plan të jashtëzakonshëm për ditën e nesërme, kur pritet të mbahet Referendumi në Serbi, i cili ishte paralajmëruar të mbahej edhe në Kosovë.

Megjithëse Qeveria vendosi të mos e lejojë këtë gjë dhe Kuvendi lëshoi rezolutë në të njëjtën frymë, Policia ka plan të jashtëzakonshëm për nesër, shkruan “Jepi zë”.

Siç mëson gazeta, të gjithë policët do të nisin punën nesër në orën 3:00 të mëngjesit, përvec Togut Rezervë. Kështu u është kumtuar sonte të gjithë zyrtarëve policorë, një prej të cilëve ka konfirmuar lajmin për gazetën.

Policia, ndërkohë, ka bërë disa veprime të tjera gjatë ditës së sotme, e që lidhen me situatën në disa pjesë të vendit ku synohej të mbahej Referendum.

Njësitë Speciale janë vendosur në Mitrovicë dhe po qëndrojnë në gjendje gatishmërie në rast se ka ndonjë zhvillim.

Madje, blindat e Policisë kanë qarkulluar sot në gjithë qytetin e Mitrovicës me sirena të lëshuara, për të treguar gatishmërinë për ta ndalur referendumin e nesërm.

Sidoqoftë, Qeveria e Kosovës nuk e ka lejuar këtë gjë, ani pse iu kërkua nga të gjitha shtetet e QUINT-it. Kuvendi sot votoi një rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi.

Ndërkohë mbrëmë, Policia arrestoi një zyrtar serb për zgjedhje dhe tre shoferë, të cilët provuan të fusnin material për Referendumin e nesërm.