Policia konfirmon se njëri nga përdhunuesit e Vasfije Krasniqit ishte polic i Kosovës për 16 vjet

Njëra nga të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta në Kosovë, Vasfije Krasniqi – Goodman, mbrëmjen e së martës dha rrëfimin ekskluziv të përjetimeve të saj atëbotë si një 16 vjeçare.

Ajo u bë e para nga 20000 gra të tjera kosovare të kësaj kategorie, e cila tregoi përkitazi atë se çka i kishte ndodhur disa vjet më parë.

Por sipas raportit të Fondit për të Drejtën Humanitare, ka dy persona për të cilët Gjykata Supreme kishte sjellur aktgjykim për kryerje të veprës penale të dhunimit si krim i luftës kundër popullatës.

Në raport figuron dhe emri i Jovica Dejanoviq, personit në fotografi, ish paramilitar serb njëherit i cili ka shërbyer në Policinë e Kosovës për 16 vjet, person i cili është identifikuar si përdhunues i kosovares Vasfije Krasniqi-Goodman gjatë luftës.

”Policia e Kosovës konfirmon se personi i apostrofuar; J. D. ka qenë i punësuar në PK nga data 12.02.2001 deri më 15.06.2017, kur edhe iu është shqiptuar masa disiplinore Ndërprerje e mardhënies se punës”, ka konfirmuar për klankosova.tv, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Jovica Dejanoviq akuzohej bashkë me Gjorgje Bojkoviq për dhunim të kosovares gjashtëmbëdhjetë vjeçare nga Kosova në datën 14 prill të vitit 1999 gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë.

Emrat e këtyre dhunuesve i gjeni në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare në faqen 87 si të akuzuar dhe të liruar.