Gjuajtje me armë

Policia konfirmon gjuajtjen me armë në “Bregun e Diellit”, gjenden disa gëzhoja

Policia e Kosovës konfirmon se sonte rreth 21:30 ka pasur të shtëna me armë zjarri në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci i cili tha se lidhur me rastin “policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore”.

Si rrjedhojë, ai tha se “nga veprimet e para policore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar disa gëzhoja, ndërkohë që deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar”.

Policia po punon në identifikimin e personave të dyshuar që ndërlidhen me këtë rast.

“Përderisa policia po punon në mënyrë aktive për të mbledhur më shumë informacion rreth identifikimit të të dyshuarve, në të njëjtë kohë po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, përfundoi ai.