Policia konfirmon dorëzimin e Kadri Shalës, aktualisht po intervistohet

Kadri Shala, pronar i kompanisë “LDA Group”, ku shkuan rreth 2.1 milionë eurot e shtetit nga disa transaksione ilegale, sot është dorëzuar në Polici.

Policia e Kosovës ka pohuar për Express se Shala aktualisht është duke u intervistuar.

“Lidhur me rastin e poshtëshënuar, sot në Polici të Kosovës është vetedorëzuar një mashkull kosovar i cili tani është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë do t’i ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Për herë të parë nga arratia, Kadri Shala u paraqit në mbrëmjen e së shtunës. Përmes vëllait të tij, ai kishte dorëzuar një letër të shkruar me dorë në redaksinë e Gazetës Express dhe Televizionit T7. Në këtë letër që mban datën 24 tetor 2020, Shala ka treguar historinë se si ka përfunduar një shumë kaq e madhe e parave nga buxheti i shtetit në llogarinë e firmës së tij.

“Diku rreth orës 3 kam shkuar në bankomat të TEB Bankës në Prizren për t’i tërhjekur një shumë të mjeteve për nevojat e mia personale nga llogaria e firmës të cilës jam përfaqësues, LDA Gruop, pasi në llogari kam pasur mjete të mjaftueshme afërsisht 20 000 euro. Në atë moment kam vërejtur se shuma në llogari ishte mbi vlerën të cilën e kam pasur.

“Nga ai moment kam menduar se kam pranuar mjete nga kompanitë me të cilat kam punuar por nga përmbaruesit të cilët i kam angazhuar për kompanitë të cilat më kanë obligime”, shkruan Shala në letrën e tij.

Më pas, Shala posa ka marrë këto para thotë se ka nisur t’i shlyejë borxhet që ua kishte personave apo kompanive.

“Dhe kështu kam menduar që t’i fshij obligimet që i kam ndaj personave fizikë dhe juridikë gjegjësisht firmave që u kam pasur obligim”.

Ai ka thënë se familjarët e tij që janë përmendur nga mediat nuk kanë qenë në dijeni për veprimet e tij.

“Të dashura media, këtu asgjë politike nuk ka mirëpo përfshirja e familjes sime, fëmijëve të mi të cilët as nuk kanë qenë në dijeni apo s’kanë kurrfarë lidhje me rastin, përfshirja e personave juridik dhe fizik ka qenë e tmerrshme, jo etike pa e ditur saktësisht thelbin”.

Në këtë rast, Shala u ka kërkuar falje familjes dhe të gjithë atyre që janë etiketuar.

“Shfrytëzoj rastin t’i kërkoj falje familjes, fëmijëve dhe të gjithë atyre të cilët i kanë etiketuar e që nuk kanë pasur njohuri rreth situatës”.

Në fund kësaj letre, themeluesi i kompanisë “LDA Group” kishte paralajmëruar se do të dorëzohej në Polici.

“Për momentin jam jashtë vendit dhe brenda 2-3 ditësh do të lajmërohem të organet kompetente”, ka njoftuar Shala, i cili njëkohësisht ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me punëtorin e Thesarit Labinot Gruda, i cili u arrestua me dyshimin se ka bërë transaksionin e parave në kompaninë LDA-Group.

“P.S asgjë dhe asnjëherë nuk kam punuar në institucione shtetërore dhe as që kam lidhje me punëtorët e ministrisë apo thesarit”, përfundon letra e Shalës.

Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.

Në llogarinë e “LDA Group” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.

Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimin ndaj të arrestuarit Labinot Gruda, Prokuroria ka treguar se në Ministrinë e Financave, Labinot Gruda, për 8 minuta kishte krijuar llogari fiktive që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin atij pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group”, pronë e Kadri dhe Valon Shalës.

Për të arrestuarin e vetëm për këtë rast, zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për këtë rast, në kërkim është edhe përfaqësuesi i autorizuar i “LDA Group”, Valon Shala.