Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për arrestimin e këtij personi

Policia e Kosovës po kërkon ndihmën e qytetarëve për arrestimin e një të kërkuari për veprat penale “vjedhje e rëndë” dhe “vjedhje”. Bëhet fjalë për 44-vjeçarin nga Deçani, Milaim Jefkajn.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se ka siguruar urdhëresën për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhet në komunikatë.