Policia jep detaje rreth kërcënimit me vdekje ndaj Agim Bahtirit

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri sot ka treguar se është kërcënuar me vdekje përmes një e-maili në gjuhën serbe që i kishte arritur në zyrë.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili ka thënë se po hetohet si kanosje.

‘’Rasti është raportua sot në Polici. Bëhet fjalë për një email të pranuar në adresën zyrtare të komunës dhe ka nisur të trajtohet prej Policisë. Tash për tash, sipas elementeve dhe Prokurorit të rastit është cilësuar si kanosje dhe po vazhdon të hetohet si kanosje. Detaje tjera nuk ka për momentin. Tash për tash nuk ka të dyshuar.’’, ka thënë Zahiti për Periskopin.

Në anën tjetër, kryetari Bahtiri ka bërë të ditur se kërcënimi vjen nga serbët dhe ndërlidhet me insistimin e tij për hapjen e urës së Ibrit.

Ai ka premtuar se procesin për hapjen e urës nuk do të mund ta ndalojë askush dhe se ura do të hapet shumë shpejt, por nuk ka dhënë ndonjë datë të saktë. Bahtiri ka porositur qytetarët që të jenë të qetë dhe mos të brengosen për mesazhe të tilla, sepse siç u shpreh ai, kryetarin s’ka kush që mund ta frikësojë.

Kujtojmë që Agim Bahtiri para disa ditësh ka paralajmëruar se në hapjen e Urës së Ibrit do të këndojë Shakira.

“Sot në ora 10:00 kam marr një e-mail kërcënues ku kërkohet vdekja ime dhe po ju them të gjithëve se mesazhet e tilla nuk çojnë askund. Agim Bahtirin s’ka kush në botë që e frikëson… Nga ana e serbëve… Rastin e kam lajmëruar në polici, policia, hetuesia kanë ardhur menjëherë dhe janë duke gjurmuar…Kjo, përmendet edhe në mesazh, ndërlidhet me urën…Unë do t’i çoj proceset përpara pa ndal asnjëherë dhe… nuk do të ketë askush që mund ta ndalojë procesin e hapjes së urës…Ura do të hapet shumë shpejt… Mesazhi për qytetarët e mij është që të rrinë të qetë dhe mos të brengosen fare, sepse kryetarin s’ka kush që e frikëson”, ka thënë Bahtiri.