Policia jep detaje pasi përfundon operacionin në shtëpinë e Vali Corleone

Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion në shtëpinë e Vali Corleone në Gjilan. Arsyeja pse i dërgoi policët në adresë të Valit është publikimi i shumave të mëdha të parave në rrjetin social “Tik-Tok”.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit me saktësisht nga Sektori për Hetime Financiare, sot më 24.11.2022 në Gjilan kanë zhvilluar operacionin e kontrollit të shtëpisë dhe lokaleve përcjellëse të të dyshuarit mashkull kosovar me qëllim të sigurimit të dëshmive materiale në lidhje me veprën penale ,,pastrimi i parave “ të cilën i dyshuari dyshohet ta ketë konsumuar gjatë periudhës kohore – tetor 2022. Kontrolli është realizuar duke u bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë”.

I dyshuari përmes rrjetit social ”Tik-Tok” ka prezantuar për publikun para me ngjyrë të cilat dyshohet të jene përfituar nga kryerja e veprave penale të ndryshme.

Gjatë kontrollit është arritur të sekuestrohen disa kontrata noteriale në lidhje me shitblerjen e disa lokaleve dhe pronave si dhe një telefon celular.

I dyshuari nuk është hasur në shtëpi, dyshohet të jete në Republikën e Maqedonisë Veriore.

Të gjitha veprimet hetimore dhe operative janë zhvilluar me autorizimin e Prokurorisë Speciale te Republikës se Kosovës.