Policia identifikon personin që gjuajti me armë në tubimin e VV-së, shoqëron në stacion dy persona – sekuestron armën

Pas publikimit të një videoje nga një tubim i Lëvizjes Vetëvendosje në fshatin Gllanasellë e Drenasit, ku u gjuajt me armë, Policia e Kosovës ka ndërmarrë disa veprime.

Dy persona janë shoqëruar në stacionin policor në Drenas, pas të shtënave me armë zjarri sonte në Gllanasellë.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinë Flora Ahmeti ka thënë për KosovaPress se rasti ka ndodhur rreth orës 21:00.

“Rreth orës 21:00, kemi marrë informatën se në Gllanasellë të Drenasit, ka pasur të shtëna me armë. Bazuar në të dhënat fillestare, nuk raportohet për persona të lënduar. Në lokacionin ku ka ndodhur rasti, policia ka kryer një bastisje dhe ka identifikuar një person të dyshuar, të cilit në veturë i ka gjetur dhe sekuestruar një armë me gas, të tipit Ecol Special dhe 5 fishekë. Në stacion policor janë shoqëruar dy persona dhe aktualisht hetuesit policorë të Drenasit, kanë nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Ahmeti.