Policia: I dyshuari për vrasjen e nënës së tij s’kishte precedent penal

Komandanti i Policisë në Pejë, Nue Nikolla ka dhënë detaje për mediat lidhur me rastin e rëndë që ka goditur sot Pejën ku një i ri ka vrarë nënën e tij.

Sipas Nikollës, policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë arrestuar të dyshuarin, ndërsa në vendngjarje kanë ardhur edhe ekipet e tjera relevante.

“Menjëherë në vend të ngjarjes kanë konstatuar se bëhej fjalë për një vrasje të rëndë dhe kanë arrestuar dhe prangosur kryerësin e rastit. Arrestimi është kryer nga patrulla policore. Është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes, pastaj vendit të ngjarjes i janë përgjigjur të gjitha njësitet. Jemi në fazën e hetimeve dhe meqë kemi të bëjmë me rast brenda familjes, këto janë të gjitha informacionet që mund të japim për momentin.Ende nuk janë sqaruar të gjitha motivet, por jemi në fazë fillestare dhe ditët e orët në vijim do të bëhen të ditura.”, tha Nikolla.

Ai ka thënë se i dyshuari nuk ka pasur precedent penal më herët.

“Unë si komandant stacioni nuk kemi pranuar informacion se kemi pasur të bëjmë me ndonjë rast të raportuar më herët në stacionin e Pejës.”, tha Nikolla.